Çmimi i naftës ulet me vendim qeverie, por a është ulur vërtet?

15 March 2022, 21:04Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çmimi i naftës ulet me vendim qeverie, por a është ulur

Bordi i administrimit të karburanteve vendosi këtë të martë që të ulë çmimin e naftës e benzinës nga 217 lek në 211 lek. Ulja modeste nuk reflekton uljen me të cilën një fuçi naftë po shitet në bursat ndërkombëtare, ku ka zbritur në 97 dollarë fuçia.

Megjithatë, vendimet e bordit janë një tregues se kur do, qeveria i gjen mekanizmat për të ndërhyrë në treg dhe vendosur çmimet e një produkti, duke rrëzuar alibinë që ngriti Kryeministri Edi Rama në ditët e para të kërcimit të çmimeve.

Rama këmbëngulte se çmimet vendoseshin nga tregu që prej 1990-s, kohë kur Shqipëria, sipas tij, zgjodhi sistemin e kapitalizmit.

Por, perceptimi i gjerë qytetar për tregun në Shqipëri është i i një monopoli në rastin më të keq dhe oligopoli në rastin më të mirë dhe problemi është se këto trajta të tregut janë në produktet bazë dhe të pashmanshme të shoqërisë.

Nafta e mielli janë shembujt e fundit, që janë pranuar edhe nga vetë Autoriteti i Konkurrencës në raportet e nxjerra pas hetimeve të nisura për rritjen e beftë të çmimeve. Rasti i freskët është ai i miellit, ku katër kompani u gjetën në shkelje. Megjithatë, AK ja kurseu gjobën kompanive.

Rasti tjetër është çmimi i naftës. Nga një vështrim i Voxneës.al në treg ditën e hënë, në të gjitha pikat e karburantit ishte i fiksuar çmimi 217 lek, aq sa e kishte vendosur bordi çmimin tavan para se ta ulte këtë të martë.

Çmimi i njëjtë gjithandej krijon idenë sikur kompanitë dhe tregtarët e karburanteve po fitojnë pak, nuk po fitojnë, ose po dalin me humbje në këtë periudhë. Por, e vërteta mund të jetë ndryshe. Të martën, çmimi i një fuçie naftë në bursën ndërkombëtare shitej me 97 dollarë, ndërsa në Shqipëri me pakicë shitej 217 lek.

Në tetor të vitit të kaluar, një fuçi naftë shitej me 103 dollarë, ndërsa çmimi për një litër në Shqipëri variante përgjatë të gjithë muajit nga 180 deri në 190 lek, pra rreth 30-40 lek më pak se çmimi aktual, edhe pse në bursë nafta ishte më e shtrenjtë.

Ndryshimi i vetëm është se sot, me çmimin tavan të vendosur nga qeveria, kjo e fundit dashje, apo pa dashje ka vendosur monopolin e vet, ndoshta duke dëmtuar qytetarët. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video