Nafta ulet me vetëm 6 lekë/litri

12 March 2022, 13:37Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nafta ulet me vetëm 6 lekë/litri
Nafta ulet me vetëm 6 lekë/litri

Qeveria ka mbledhur sot Bordin e Menaxhimit dhe ka vendosur sot që çmimi i naftës dhe benzinës të jetë 217 lekë/ litri gjatë këtyre 24 orëve, ndërsa gazi 93 lekë/ litri.

Pra, ulja e çmimit ka qenë vetëm 6 lekë/litri. Në përbërje të bordit janë përfaqësues të qeverisë dhe kompanive kryesore të naftës në vend që abuzuan me cmimin duke e cuar litrin deri në 270 lekë.

Shpjegimi i importuesve ka qenë se çmimi u rit për shkak të shtrenjtimit në bursë duke bërë që edhe në Shqipëri një litër naftë të kërcente në pak ditë nga 195 lekë/ litri në 265 lekë/ litri. Ndërkohë për të katërtën ditë me radhë qytetarët kanë vijuar protestën e tyre në bulevard. 

Vendimi:

Në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin Normativ
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.
Nëpërmjet këtij akti normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjeherë Bordi i Transparancës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ vendosi:

1. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.

2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.

3. Çmimi i shitjes me pakice të nënproduktit gaz për periudhën 12 mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.
Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.


Video