Klajdi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se tërmeti u kushtoi kompanive në fjalë 40 milionë dollarë.
Shqipëria, në vitin 2019, përjetoi një tërmet i cili i ka kushtuar tregut të sigurimeve rreth 40 milionë euro. Tregu i sigurimeve e përballoi me sukses këtë situatë, falë kontratave të risigurimeve dhe kapaciteteve teknike të kompanive të sigurimit shprehet ai.
Një shifër që nuk sqarohet se nga buron, nisur nga realiteti i një propagande sipas së cilës rindërtimi është kryer përmes ndërhyrjes së shtetit, apo granteve. Përtej këtij aspekti, Çitozi po njofton se tregu i sigurimeve, i provuar nga Autoriteti i Konkurencës se vepron në logjikë oligopol, do të aplikojë rritje tarifash thuajse në çdo sektor. Shkak sipas tij janë rritjet e kostove.
Është rritur kostoja e riparimit të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit me mesatarisht 25%. Gjithashtu, edhe çmimi i shërbimeve mjekësore është rritur herë pas here në fasha të ndryshme shërbimesh dhe së fundmi, jemi njoftuar se do të aplikohet një rritje e përgjithshme në shërbimet mjekësore që ofrojnë spitalet private.
Të gjithë e kanë ndier së fundmi edhe rritjen e kostos së ndërtimit, me të paktën 35%. Pra, ne kemi përllogaritur primin e policave të sigurimit, duke marrë parasysh kostot e mëparshme të këtyre mallrave dhe shërbimeve dhe aktualisht ndodhemi përpara situatës ku do të paguajmë dëmet me kosto të rritura. Edhe investimet financiare, të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në bilancin e çdo shoqërie, nuk kanë më kthimin real të pritshëm. Kështu, duke qenë se kosto e jetesës bëhet më e shtrenjtë, edhe kërkesa për sigurime vullnetare është në rënie ka thënë ai.
Sipas tij, aktualisht nuk është reflektuar kjo rritje në primin e kontratave, por nëse kjo ecuri vazhdon, është e vështirë që të mbahet situata në këto parametra./Monitor