Çmimi i naftës ka shënuar një tjetër rritje të shtunën duke arritur nivele rekord të papara ndonjëherë në tregun vendas. Në pikat kryesore të tregtimit me pakicë si Gega dhe Kastrati, nafta po tregtohet me të njëjtin çmim: 230 lekë për litër.
Kjo është rritja e tretë brenda dy ditëve. Vetëm të mërkurën nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 38 lekë.
Dhe ky mendohet të jetë vetëm fillimi, pasi sipas parashikimeve çmimet mendohet të rriten edhe më shumë javën që vjen gjë që mund të shtojë dyndjen në pikat e karburanteve sipas parimit; “po e mbushe plot sot kursen diçka për nesër”.
Por një rritje e tillë është jashtë normales që nuk është e diktuar vetëm nga kriza në Ukrainë, porse është abuzim i pastër nga tregtarët shqiptarë. Asnjë vend në Europë nuk i ka rritur çmimet si në vendin tonë.
Voxnews.al mëson rritja e çmimit ka ardhur nga një marrëveshje sekrete mes dy kompanive të mëdha në Shqipëri, “Kastrati” dhe “Gega Oil”, ndërsa kompanitë e tjera janë të detyruara ti ndjekin. Këto dy kompani duke shfrytëzuar luftën në Ukrainë kanë vendosur të fitojnë sa më shumë në kurriz të qytetarëve shqiptarë, sigurisht edhe me “bekimin” e qeverisë.
Akuza për abuzim të tregtarëve të naftës ka pasur edhe nga ekspertët e ekonomisë
“Sigurisht që një gjë e tillë nuk është normale sidomos për lëndën e parë, kjo ndodh nga abuzimi i tregtarëve, kemi 60 lekë më shumë të çmimit të naftës, kurse në bursë është gati 15 dollar për një fuqi, që do të thotë se rritur çmimet e furnitorëve, porse është abuzim i tregtarëve shqiptarë. Edhe sikur çmimet në bursë të ulen e të ngritën, nuk mund të reflektohen kaq shpejt në kohë reale në Shqipëri. Tregtarët nuk mund ti zbrazin kaq shpejt depozitat e naftës, e ti rrisin me 40 lekë më shumë, si ka mundësi që brenda gjashtë orëve, të rritet çmimi i naftës për 60 lek?”, tha eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, në një intervistë televizive.
Për ekspertin Muço, rritja e çmimit po bëhet më shumë në Shqipëri, sesa në Ukrainë, ku ka luftë. Kjo sipas tij, nënkupton ndërhyrje të institucioneve të cilat nuk po reagojnë.
“Kemi rritje të çmimit të naftës, më shumë se në Ukrainë, sikur lufta po bëhet këtu e jo atje. Askush nga institucionet nuk ka marrë faktin se pse po rritet kaq shpejt, dhe se kush janë faktorët. Tregtarët po përfitojnë kaq shpejt, pa pasur asnjë reagim nga shteti, nga institucionet, të vetmit që po përfitojnë janë ata”, tha ai.
OPEC ka deklaruar se pavarësisht situatës do të vazhdojë të mbajë të njëjtin nivel prodhimi sipas marrëveshjes së dakordësuar më parë edhe para konfliktit në Ukrainë.