Kush e “la” Shqipërinë përgjatë 12 viteve?

3 Korrik 2024, 13:53Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Referuar rezultateve të Censit, nga popullsia banuese në Shqipëri rreth 99.4% e tyre kanë shtetësi shqiptare, ndërsa pjesa tjetër, pra rreth 0.6%, janë me shtetësi të huaj. Në ndryshim nga popullsia me shtetësi Shqiptare, në popullsinë me shtetësi të huaj dhe pa shtetësi vihet re një përqindje më e lartë e meshkujve me 54.5%, kundrejt 45.5%, me një raport gjinor prej 120, pra 120 meshkuj për 100 femra me shtetësi të huaj dhe pa shtetësi. Kjo popullsi është më e përqëndruar në grupmoshat e reja, përkatësisht 15-39 vjeç dhe më pak në popullsinë mbi 65 vjeç e lart.

“Scan Intel” ka marrë në analizë karakteristikat e popullsisë së huaj për të parë se si kanë ndryshuar shifrat, krahausar me rezultatet e Censit të vitit 2011-të. Ajo që vihet re nga të dhënat bazuar në rezultatet e Censit të zhvilluar në vitin 2023, është pesha më e madhe e popullsisë banuese në Shqipëri me origjinë nga Greqia, Italia dhe Kosova. Më konkretisht shifrat flasin për 3,076 shtetas me origjinë nga Greqia, 2,203 shtetas me origjinë nga Italia dhe 1,094 shtetas nga Kosova.

Por si paraqiten këto shifra, krahasuar me të dhënat e mëparshme? Referuar rezultateve të Censit në vitin 2011-të, edhe pse me peshë më të lartë në totalin e të huajve në vend, vihet re një rënie e shtetasve banues në Shqipëri më origjinë nga Greqia, me gati 27%. Rënie po ashtu ka regjistruar edhe popullsia banuese me origjinë nga Shttetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato me Origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër, kemi një rritje të atyre me origjinë nga Italia, gati 112%, pasuar nga shtetasit me origjinë nga Franca dhe Kosova.

Sipas Censit të vitit 2023, 98.3% e popullsisë në Shqipëri janë vendas, dhe 1.7% janë individë të lindur jashtë vendit. Mes popullsisë të lindur jashtë, afërsisht gjysma e tyre ose 46.2%, kanë lindur në Greqi, dhe 16.6% në Itali.

Video