Së fundmi ekonomia shqiptare ka përjetuar një rritje të ndjeshme të totalit të kredisë, duke reflektuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe një besim të shtuar në sektorin financiar. Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.8 miliardë lekë në Shtator të vitit 2024, me një rritje e konsiderueshme prej 12% krahasuar me Shtatorin e vitit 2023, por ka ngadalësuar rritjen krahasuar me Gushtin e vitit aktual. Në harkun kohor të një muaji totali i kredisë ka shënuar një rritje të lehtë prej 0.1%
Nëse flasim në shifra absolute, rezulton se në harkun kohor të një muaji kredia është shtuar me rreth 558 milionë lekë, ndërsa në harkun kohor të një viti regjistron një rritje prej 87 miliardë lekë.
Rritja vjetore i atribuohet kryesisht zgjerimit të kreditimit të “Korporatave të tjera financiare”. Nga ana tjetër, edhe kredia për biznesin ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Nga rreth 407 miliardë lekë në shtator të vitit të kaluar, ajo është shtuar me rreth 52 miliardë lekë në Shtator të këtij viti, duke arritur në rreth 460.49 miliardë lekë.
Rritja vjetore prej 13% e huave për biznesin është mbështetur kryesisht nga një rritje e kredisë në lekë të cilat kanë arritur në 213 miliardë lekë, nga rreth 188 miliardë lekë, ndërkohë që edhe kreditë e biznesit në valutë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme, krahasuar me Shtatorin e vitit 2023.
Nëse i analizojmë shifrat krahasuar me muajin Gusht të këtij viti, shohim se kredia për biznesin ka shënuar një rënie prej 0.01% në Shtator. Të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” tregojnë se rënia është ndikuar nga kredia në valutë që ka regjistruar rënie me 0.42% krahasuar me muajin Gusht të po këtij viti.