
Një zë i rëndësishëm në projektbuxhetin 2025 është dhe sektori i bujqësisë i cili një vit më parë nuk përfitoi siç duhet. Sektori që punëson rreth 33% të shqiptarëve pritet të ketë një financim me rritje prej 4.8% për këtë institucion se plani i këtij viti i finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2024.
Nga 13.9 miliardë lekë në 2024, buxhetin për një ndër sektorët kryesor të ekonomisë së vendit, pritet të arrijë në 14.6 miliardë lekë.
Më shumë para po shkojnë në drejtim të masave mbështetëse për prodhimet bujqësore e blegtorale. Ndonëse 7.2 miliardë lekë do të jenë për në drejtim të fermerëve dhe blegtorëve përsëri është një buxhet më i vogël se në 2023.
Rritje të lehtë paraqet mbështetja për këshillimin dhe menaxhimin e tokës bujqësore. Ndërsa pothuajse të njëjtat para do harxhohen për sigurinë ushqimore por dhe menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes.
Ndonëse nga viti në vit në rënie, kontributi i bujqësisë në PBB është një ndër më të mëdhenjtë duke arritur në 16.2%.
Bujqësia prej dekadash vuan mungesën e financimit, sidomos nga bankat për shkak se është biznes i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, siç janë përmbytjet apo breshëri që ju dëmton prodhimin.
Por prej mesit të vitit 2023 e deri më tani, bujqësia po përballet edhe me mungesë të fondeve të IPARD-it, e ende nuk ka një vendim nga BE, për zhbllokim të kësaj mbështetje.