Hyn në fuqi akti normativ për çmimet e shportës: Nga 2 deri në 10 mln lekë gjobë kush abuzon me çmimet

31 March 2022, 21:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hyn në fuqi akti normativ për çmimet e shportës: Nga 2

Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës që përcakton marzhin e fitimeve të bizneseve.

Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 mln lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 mln lekë.

Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

Në Fletoren Zyrtare është botuar akti normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës i miratuar nga qeveria. Akti normativ përcakton se bordi do të monitorojë çdo javë çmimet e produkteve, sipas listës së miratuar prej tij dhe do të vendosë marzhin e fitimit.

Bordi është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjitha subjektet dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg.

Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Sakaq ndaj bizneseve tregtuese të produkteve të shportës që nuk respektojnë marzhin e fitimit të përcaktuar nga bordi i transparencës do të zbatohen masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e mallit kur shkelja përsëritet.

Konkretisht për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë, ndërsa subjektet e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë.

Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.


Video