Hiqen përjashtimet fiskale të TVSH në turizëm, shëndetësi dhe financa

3 March 2022, 08:03Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hiqen përjashtimet fiskale të TVSH në turizëm,

Në dokumentin e ri të politikës fiskale, 2022-2026 qeveria angazhohet që të analizojë përjashtimet tatimore, me synim heqjen e tyre, në TVSH, akcizë etj, të cilat janë dhënë ndër vite për të nxitur sektorë të caktuar.

Në vitin 2023 e në vijim qeveria do të shqyrtoje heqjen e përjashtimit nga TVSH-së të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, turizmit, tregjeve financiare. Gjithashtu strategjia synon unifikimin e normave tatimore drejt vlerës më të lartë.

Furnizimi i shërbimeve shëndetësorë nga sektori privat ka qene fillimisht i përjashtuar. Më vonë, pas vitit 2010, për këtë shërbim aplikohej TVSH 10 % dhe nga janari 2014 trajtohet përsëri si furnizim i përjashtuar nga TVSH. Ndërkohë, edhe furnizimi i shërbimeve edukative-arsimore nga sektori privat ka qene fillimisht furnizim i përjashtuar, më pas, u trajtua si furnizim i tatueshëm me shkallë tatimore 20%, dhe nga viti 2013 e në vazhdim trajtohet si furnizim i përjashtuar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë referoi se do analizoje impaktin e këtyre përjashtimeve, përfitimet reale të konsumatorëve, marzhin e fitimit të realizuar nga operatorët ekonomikë privatë dhe do propozojë ndryshimet e nevojshme, nëse do shihet e arsyeshme, ndryshime të cilat do mund të zbatohen në një periudhë afatmesme 3-4 vjeçare.

Strategjia e re fiskale e qeverisë synon të unifikojë normat tatimore dhe t’i sjellë pragjet në një nivel, por në atë më të lartin të aplikuar deri më tani.

Reforma synon unifikimin e normës tatimore të tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset. Sipas skemës aktuale të taksimit, tarifat tatimore që aplikohen për taksimin e te ardhurave të biznesit janë 0 % për tatimpaguesit me të ardhura vjetore 0-14 milion lekë dhe 15 % për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë.

Ministria e Financave do të rishikojë efektivitetin e përjashtimeve, tarifave të reduktuara dhe atyre preferenciale të tatimit mbi fitimin për industri dhe sektorë specifikë. Në të ardhmen do synohet që të ketë unifikim në një normë të vetme standarde të tatimit mbi fitimin korporativ. Tatimi mbi fitimin të funksionojë me një normë të vetme tatimore, për të gjithë tatimpaguesit pa asnjë diferencim sektorial.

 


Video