Hetime për kompanitë dhe projektet që cënojnë sigurinë kombëtare. Projekt i ri ligjor në Kuvend

21 Tetor 2024, 12:44Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një investitor i huaj që dëshiron të realizojë një investim direkt në vendin tonë, do të duhet të kalojë përmes disa filtrave kontrolli përpara se t’i jepet autorizimi përfundimtar për ta realizuar atë investim. Në projektligjin e depozituar në Kuvend nga deputetja Jorida Tabaku, parashikohet krijimi i një kornize ligjore dhe mekanizmi për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Konkretisht, ky projektligj do t’i japë Kuvendit të drejtën që të verifikojë nëse projektet dhe kompanitë që duan të investojnë në Shqipëri, cenojnë sigurinë dhe rendin publik të vendit.

Si do të realizohet kjo?

Pas marrjes së aplikimit të investitorit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), do të njoftohet Komiteti i lnvestimeve Strategjike për të kryer një analizë të këtij investimi. Komiteti i lnvestimeve Strategjike duhet të marrë gjithashtu mendimin e Kuvendit për dhënien ose jo të autorizimit.

Përgjegjës për zbatimin e këtij ligji do të jetë Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku pranë tij do të ngrihet një nënkomision i posaçëm parlamentar, i cili do të ndihmojë në procedurën e shqyrtimit. Vetëm pas marrjes së mendimit të Kuvendit, Komiteti i Investimeve Strategjike do të japë ose jo autorizimin për realizimin e investimit.

Kështu, Kuvendi i Shqipërisë do të ketë kompetencën për të shqyrtuar, hetuar, autorizuar ose bllokuar investimet e huaja që mund të ndikojnë në sigurinë dhe rendin publik të vendit. Kjo është një nismë e rëndësishme duke marrë parasysh rritjen e investimeve të huaja në vend dhe nevojën për t’u siguruar që këto investime nuk përbëjnë kërcënim për interesat kombëtare.

Video