Grabitja miliona euroshe me mikrokreditë, Banka e Shqipërisë revokon licencën për 'MCA' dhe 'Final'

23 May 2024, 20:11Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grabitja miliona euroshe me mikrokreditë, Banka e Shqipërisë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Banka e Shqipërisë mori sot vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen pas aksionit të Prokurorisë së Tiranës që zbuloi skemën e grabitjes së mijëra qytetarëve, teksa 9 persona janë arrestuar tashmë.

Këto institucione pasi blenë një numër të madh kredish të këqija, përmes përmbaruseve u bllokonin pronat qytetarëve duke u bërë presion që të merrnin kredi prej tyre me interesa tepër të larta, për të shlyer kredinë e mëparshme.

Duke i futur në këtë rreth vicioz borxhesh, ata arrinin të sekuestronin pronat, rrogat makinat e mijëra qytetarëve.

Sipas njoftimit të publikuar sot në faqen zyrtare të BSH-së, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.

“Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”, citon BSH-ja.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.

NJOFTIMI I PLOTË:

Nëpërmjet këtij njoftimi, ju bëjmë me dije se Banka e Shqipërisë, sot, më datë 23.5.2024, ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën nr. 11, datë 20.2.2009 të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe licencën nr. 38 datë 9.5.2016 të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k., tashmë e pezulluar me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024.

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.

Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht. 

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”. 

Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.


Video