Gjykata pezullon gjobat ndaj kompanive të plehrave kimike

13 April 2022, 19:39Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjykata pezullon gjobat ndaj kompanive të plehrave kimike

Gjykata Administrative e Tiranës ka pezulluar ekzekutimin e gjobës prej 1.5 mln eurosh me të cilën Autoriteti i Konkurrencës gjobit tre kompanitë më të mëdha në tregun e importit të plehrave kimike, me arsyetimin se kanë shkelur rregullat e tregut të lirë.

Ka qenë vetë kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ai që ka njoftuar se gjobat janë pezulluaar pas ankimimit të tre kompanive të gjobitura.

“Edhe gjobat e fundit fare që morën një lloj publiciteti, janë ankimuar në gjykatë dhe dje është vendosur nga Gjykata Administrative e Shkallës së parë është vendosur pezullimi i gjobave”, tha Biba gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.

Gjoba më e lartë, rreth 1 mln euro u vendos për kompaninë Agro Blend të ish-kryebashkiakut demokrat të Vorës, Fiqiri Ismaili.

Ndërkohë, vendimi për pezullimin e gjobës nuk është surprizë, sipas deputetit Erion Braçe.

“Tregu i plehrave kimike, për të cilin ka edhe një vendim që tashmë është në gjykatë, nuk më emocionon fare përsa kohë ka mbështetje politike edhe në gjykatë edhe ku të doni ju do të shkojnë ata”, tha ai.

Braçe akuzoi Qeverinë se po ngurron që të bëjë transparencë në këtë treg.

“Sa kohë qeveria edhe pse e thotë me gojë nuk merr asnjë masë për të bërë verifikimet përmes bordit, pa-diskutim që në gjykatë do të shkojnë dhe nuk është asnjë habi që në gjykatat që kemi ne të marrin të drejtën”, deklaroi ai.

Braçe akuzoi kompanitë e importit të plehrave kimike se kanë marzhe të mëdha fitime, nga 25 deri në 50 për qind mbi çmimin me të cilin i importojnë këto produkte.

 


Video