Një burim e rrjet i ri për ujë 24 orë në Tiranë, diskutohet në Kuvend huaja 80 mln euroshe me BEI-n

11 April 2022, 16:35Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një burim e rrjet i ri për ujë 24 orë në Tiranë,

Në Kuvend kanë nisur diskutimet për një hua prej 80 milionë eurosh për investimet në rrjetin e ujëjsjellësit në Bashkinë e Tiranës.

Kredia është nënshkruar në fund të vitit të kaluar me Bankën Europiane të Investimeve, që ka bërë edhe vlerësimet paraprake të kostos së të gjithë projektit, ku dy janë investimet kryesore; e para ngritja e rrjetit nga burimi i ri i Gurit të Bardhë dhe ndërtimi i një unaze presioni, që do të shtojë sasinë e familjeve ku furnizimi me ujë do të jetë 24 orë.

Bashkia e Tiranës thotë se ky projekt afron edhe më tej ambicien e saj për 24 orë furnizim me ujë të pijshëm për të gjithë kryeqytetin.

Në total, kostoja e të gjithë projektit është vlerësuar rreth 144 mln euro dhe garantore e kredisë është Qeveria shqiptare. Pjesa tjetër e shumës për realizimin e këtij projekti, sipas relacionit, do të mbulohet nga vetë Ujësjellësi i Tiranës.

Investimet në ujësjellës dhe infrastrukturën e tij kanë marrë një vëmendje të theksuar nga ana e Bashkisë së Tiranës pas 2015-s, me disa projekte që janë finalizuar, të tjera janë nën ndërtim, ndërsa projekti më madhor për të ardhmen është ky i financuar pjesërisht nga BERZh.


Video