Energjia bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë në BE, kostot të paktën 50% më të larta

6 Korrik 2024, 12:26Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vendet e BE-së do të paguajnë shumë më tepër për energjinë elektrike sesa SHBA-ja dhe Kina për shumë vite madje dhe bizneset europiane do të jenë në mënyrë të pashmangshme në disavantazh ndaj konkurentëve të tyre. Dhe arsyeja është kërkesa gjithnjë në rritje, por edhe dobësitë e Kontinentit të Vjetër. Ky është përfundimi i një raporti të hartuar nga shoqata europiane e biznesit ‘BusinessEurope’.

Në këtë raport, theksohet se kostoja e prodhimit të energjisë do të jetë të paktën 50% më e shtrenjtë në BE krahasuar me dy ekonomitë e tjera të mëdha deri në vitin 2050. Anëtarë të kësaj shoqate biznesi janë shoqatat kryesore të biznesit të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, përfshirë ato të Britanisë.

Madje raporti thekson se kjo do të ndodhë edhe në rastin e “skenarit të mirë”, pra edhe nëse BE arrin objektivat klimatike që ka vendosur. Nëse përkundrazi, arritja e objektivave përtej 2050 vonohet, kostoja e energjisë në BE mund të jetë sa trefishi i asaj që paguajnë ekonomitë e tjera të mëdha, me pak fjalë konkurentët e saj.

Arsyeja e kostos së lartë të energjisë në BE është para së gjithash varësia e saj e madhe nga importet. Është një problem i përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës dhe ndërprerja e Moskës e furnizimeve me gaz rus për ekonomitë europiane. Situata ka ngjallur shqetësim intensiv në qarqet ekonomike dhe të biznesit në Kontinentin e Vjetër, të cilët kanë frikë se Europa do të mbetet prapa si Uashingtonit dhe Pekinit në përmbushjen e nevojave energjetike të industrive të tij tradicionale si çeliku, por edhe sektorë të rinj novatorë si teknologjia e pastër, energjia e erës dhe bateritë.

Krerët e kompanive më të mëdha industriale të Europës e kanë bërë një prioritet të menjëhershëm uljen e kostove të energjisë. Për komisionin e ardhshëm europian, në fund të fundit, gurthemeli i politikës së tij do të jetë ngritja e konkurencës së industrive europiane në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, bizneset europiane ankohen se vazhdimisht po përballen me burokraci të pafundme të BE-së.

Një nga mjetet kryesore të përdorura nga BE është taksa e karbonit që vendos në kufijtë e saj me vendet që nuk kanë miratuar programe strikte të tregtimit të emetimeve. Me këtë masë, BE përcakton çmimin që vendos për shkarkimet e gazrave për të cilat janë përgjegjëse importet nga ato vende. Sipas ‘BusinessEurope’, nëse ky sistem rezulton i paefektshëm dhe nuk ndihmon industritë e BE-së, atëherë komisioni duhet të shqyrtojë mundësinë e heqjes së licencave që u ka dhënë industrive të tij dhe me të cilat ato mund të ndotin pa paguar çmimin përkatës.

Video