Banka e Shqipërisë refuzon kërkesën e MCA dhe FINAL dhe lë në fuqi revokimin e licencës

6 Korrik 2024, 09:20Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Banka e Shqipërisë ka refuzuar ankimin administrativ që kishte bërë “MICRO CREDIT ALBANIA” dhe FINAL për heqjen e licencës së tyre. Në vendim, banka ka specifikuar argumentet e saj për të dy subjektet.

Sipas vendimit që është publikuar në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit fillimisht i pezulloi licencën “MICRO CREDIT ALBANIA” në 2022 për një vit dhe këtë pezullim e shtyu edhe për 6 muaj deri në mes të qershorit të këtij viti.

Ndërsa në maj, pasi Banka e Shqipërisë u vu në dijeni të faktit se ndaj ortakut Elda Ibro, të subjektit financiar jobankë “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk, është vendosur masa e sigurimit personal “arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ia revokoi licencën subjektit në datën 23.

Pas këtij vendimi, MCA ka paraqitur ankimin, duke pretenduar se Banka e Shqipërisë nuk ka respektuar kushtet dhe kërkesat procedurat e parashikuara nga kuadri ligjor në lidhje me vendimmarrjen përkatëse, e cila në çdo rast ka qenë dispropocionale; Ortakja e shoqërisë znj. Elda Ibro, nuk ka kompetenca administrative pranë shoqërisë MCA shpk dhe pengesa, ndalimi ligjor, efektet negative janë lehtësisht të evitueshme (pa pasur ndikim negativ në shoqëri, me kalimin e kuotës që zotëron ajo në shoqërinë MCA shpk).

Subjekti ka pretenduar se prej fillimit të aktivitetit të shoqërisë MCA shpk, duke bërë dallimin e legjislacionit civil me legjislacionin penal deri ditën e sotme nuk rezulton asnjë vendimmarrje gjyqësore që të ngarkojë MCA shpk me detyrimin e kthimit të shumave monetare të cilat janë sekuestruar në mënyrë të paligjshme, të parregullt, më shumë se sa parashikohet nga detyrimet kontraktuale, apo vendimet gjyqësore përkatëse.

Ndërsa Banka e Shqipërisë në argumentet e saj, ndër të tjera pretendon se në lidhje me pretendimin e MCA që masa e sigurimit personal ndaj ortakut të shoqërisë, nuk cënon vijueshmërinë e aktivitetit të subjektit, reputacioni i shoqërisë për shkak të masës ndaluese të marrë ndaj ortakut është i cënuar rëndë.

Po sipas bankës, veprimtaria e subjektit financiar jobankë “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk ka qenë e pezulluar deri në 31.12.2023, për një periudhë 12 mujore. Gjatë kësaj periudhe subjekti u urdhërua të merrte masa për adresimin e plotë të të gjitha mangësive dhe rekomandimeve të evidentuara në raportin e ekzaminimit. Bankës së Shqipërisë i rezultoi se asnjë nga detyrat e lëna nuk u adresuan nga subjekti “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk.

Sipas argumenteve të bankës, Me Vendimin nr. 644 datë 06.02.2024 të Guvernatorit, për shkelje të përsëritura dhe të paadresuara nga ana e subjektit, në mënyrë të përshkallëzuar Banka e Shqipërisë vendosi të kufizojë ushtrimin e të gjitha veprimtarive për të cilën subjekti ishte licencuar, përveç shitjes së portofolit të kredive që ky subjekt administronte.

Kjo masë pezullimi e licencës i shtrinte efektet deri më datë 30.06.2024. Kjo në vijim të strategjisë të ushtrimit të veprimtarisë nga subjekti “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk, pasqyruar në vendimmarrjen e ortakut të vetëm të shoqërisë të datës 5.01.2024, sipas të cilit shoqëria do ta shistë të gjithë portofolin e kredisë që administronte.

Të dyja vendimet e mësipërme për pezullimin e veprimtarisë, nuk janë ankimuar në gjykatë nga subjekti “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk duke pranuar në këtë mënyrë se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e drejtë dhe në përputhje me natyrën dhe shkallën e shkeljeve të konstatuara.

Siç edhe ka rezultuar, subjekti nuk mori asnjëherë masa për eliminimin e shkeljeve. Jo vetëm kaq, por ka rezultuar se subjekti nuk rezulton të ketë dhe nuk ka patur të angazhuar strukturat e nevojshme për eliminimin e këtyre shkeljeve, siç konfirmohet edhe nga konkluzionet e raportit të ekzaminimit të plotë, dorëzuar me shkresën nr. 799/3 datë 25.01.2024. Edhe në mesazhin elektronik të datës 20.04.2024, të punonjëses së MCA, nëpërmjet të cilit përcillet qëndrimi i ortakes së vetme të shoqërisë, zj. Elda Ibro, i kërkohet Bankës së Shqipërisë të lejojë dorëzimin e licencës nga MCA, dhe lirimin nga detyra të administratorit z. Andis Gjoka.

Strategjia e vijueshmërisë të aktivitetit të subjektit për shitjen e të gjitha kredive tek 4 subjekte, siç është pohuar prej vetë subjektit ka rezultuar e papërmbushur”, thuhet në argumentet e Bankës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka konstatuar se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencës ndaj këtij subjekti është e përshtatshme dhe gjendet plotësisht e mbështetur në aktet rregullative.

Edhe për FINAL, banka e Shqipërisë ka lënë në fuqi revokimin e licencës. Banka argumenton se një ndër kriteret e rëndësishme për dhënien apo refuzimin e licencës është i parashikuar në nenin 10 të rregullores së licencimit dhe që lidhet me reputacionin e themeluesit (aksionarit) të shoqërisë. Për më tepër “Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencës të subjektit FINAL sh.p.k dhe fakti që hetimi ndaj ortakut të vetëm të shoqërisë lidhet me veprimtarinë e këtij subjekti, gjen mbështetje edhe nga ecuria e veprimeve proceduriale të ndërmarra nga organi i akuzës.

Me shkresën nr.12828 prot, datë 29.05.2024, jemi informuar nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin e procedimit penal për veprën penale “Pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” për vepra penale të dyshuara gjatë ushtrimit të aktivitetit financiar edhe të shoqërisë “FINAL” shpk si dhe ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare ndër të tjera edhe të kësaj shoqërie, ortakut të vetëm të saj Arben Meskuti, dhe personat e lidhur me ta”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka konstatuar ka konstatuar se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencës së këtij subjekti, është e përshatshme dhe gjendet plotësisht e mbështetur në aktet rregullative.

Mbledhësit famëkeq të borxheve

Në fillim të majit, Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht hapjen e procedimit për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale” të parashikuar nga neni 143/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

 

Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri blenë nga “ProCredit Bank Shqipëri” 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej 7.299.203 eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdorur te kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Sipas prokurorisë, këto kredi janë dhënë në kushtet e mashtrimit, sepse MCA ka qenë në dijeni të pamundësisë financiare të likuidimit nga ana e debitorëve dhe zakonisht, ata kanë qenë të regjistruar në regjistrin e kreditorëve me probleme, që mbahet nga Banka e Shqipërisë.

Në interpretimin e prokurorisë, vjedhja është kryer në kushtet e mirëbesimit, duke mashtruar huamarrësit se me marrjen e kredisë te MCA për të likuiduar kredinë e mëparshme do të kishin lehtësime në pagesën e kësteve. Ky fakt më vonë nuk ka rezultuar i tillë, por ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare të debitorëve.

Sipas Prokurorisë, këto institucione financiare gjithashtu aplikonin një kamatëvonesë prej 2% + 8%, por kjo është bërë në mënyrë të kundërligjshme për çështje që i takonin një periudhe përpara përcaktimit me ligj të kësaj norme.

Aplikimi i kamatës ligjore 2% + 8% është parashikuar në ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile, që janë bërë në vitin 2016. Konkretisht, sipas ndryshimeve të miratuara në atë vit, “kur titulli ekzekutiv, për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit, është akt për dhënie kredie bankare ose detyrime monetare, Gjykata duhet të parashikojë kamatat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

Parashikimi i “kamatës ligjore 2% + 8%” gjen referencë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” dhe këtë e bën Gjykata dhe jo përmbaruesi, pasi vlerësimin dhe shumën e përcaktuar në titullin ekzekutiv e përcakton vetëm gjykata.

Nga aktet hetimore rezulton e provuar se “kamata ligjore 2% + 8%” është përdorur në formë masive në të gjitha shkresat e këtyre përmbaruesve të kallëzuar, dhe në të gjitha rastet lidhen me urdhra ekzekutimi, pra vendimeve të gjykatave që kishin dalë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”.

Urdhrat e ekzekutimit objekt hetimi dhe për të cilët ishte përdorur kjo kamatë, në shumicën e tyre dërrmuese, ishin lëshuar në periudhën 2005-2015.

Gjithashtu, në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Video