BE skeptike për projektin e Portit të Durrësit, anulon grantin 28 mln euro

23 Nëntor 2022, 17:10Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Projekti

Projekti i nxitur nga kompani offshore dhe i mbështetur nga qeveria shqiptare  për ndërtimin e marinës së jahteve dhe një blloku apartamentesh e hotelesh në vendin ku aktualisht ushtron aktivitetin porti më i madh tregtar i vendit e  ka çuar Bashkimin Europian drejt një vendimi ekstrem në lidhje me financimet e tij në Shqipëri, duke nisur nga porti tregtar.

Kështu, BE ka anuluar një grant prej 28 milionë euro që ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit. Këtë e bën të ditur vetë zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, e cila shpreh hapur rezervat për modifikimin e projektit dhe mungesën e transparencës nga qeveria shqiptare.

Sipas përshkrimit në vetë uebsajtin zyrtar të autoritetit portual të Durrësit, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.

Partnerë dhe donatorë të këtij projekti që në total kapte shifrën e 62 milionë eurove ishin qeveritë e disa vendeve europiane përfshi, Gjermaninë, Francën, Italinë si dhe disa organizma të tjerë.

Anulimi i grantit nga BE duket se do të çojë edhe në tërheqjen nga ky investim i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 25 milionë euro. Përtej kësaj, Zyra e BE në Tiranë thotë se projekti i marinës së jahteve është duke kaluar në supervizimin e BE-së pasi mund të bjerë ndesh me Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit.

Vetëm dy ditë më parë, kreu i Autoritetit Portual në Durrës, Pirro Vëngu, tha gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se qeveria së shpejti do të hapë tenderin për portin e ri tregtar që do të zhvendoset në Porto Romano.

Vetë ekipi negociator pranoi se nga darka e Nusretit deri në arritjen e marrëveshjes për marinën e jahteve, investitori këmbënguli që porti tregtar të çmontohej menjëherë, por kjo u refuzua nga qeveria, raporton MCN.

Video