Banka qendrore zvicerane shënon humbjen më të madhe në historinë e saj 116-vjeçare

10 Janar 2023, 20:00Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Banka Kombëtare e Zvicrës

Banka Kombëtare e Zvicrës raportoi të hënën një humbje prej 132 miliardë frangash zvicerane (143 miliardë dollarë) për vitin financiar 2022, sipas shifrave paraprake.

Kjo shifër përfaqëson humbjen më të madhe në historinë 116-vjeçare të kësaj banke qendrore dhe është afërsisht sa 18% e prodhimit të brendshëm bruto të projektuar të Zvicrës prej 744.5 miliardë frangash zvicerane. Humbja e mëparshme më e madhe e bankës qendrore zvicerane ishte 23 miliardë franga në vitin 2015.

Si rezultat i kësaj, banka nuk do të bëjë pagesat e saj të zakonshme për qeverinë zvicerane dhe shtetet anëtare. Për më tepër, pritet që të ndikohen edhe pagesat për aksionerët e saj. Në vitin 2021, banka raportoi një fitim prej 26 miliardë frangash.

Nga totali i humbjeve, 131 miliardë franga erdhën si pasojë e pozicioneve të saj në valutë, ndërsa 1 miliard erdhën nga pozicionet e vetë frangës zvicerane, në kushtet kur monedha vendase ka pësuar rritje të mëdha pasi investitorët filluan të blinin këtë monedhë, e cila perceptohet si parajsa e sigurt e Europës, në kushtet e paqëndrueshmërisë së tregjeve gjatë vitit të kaluar.

Që nga qershori i vitit 2022, franga zvicerane është tregtuar me më shumë se një euro, një nivel që më parë ishte arritur për një periudhë të shkurtër vetëm në vitin 2015, pasi hoqi kufirin e këmbimit prej 1.20 me monedhën e përbashkët të BE-së.

Zvicra është përpjekur historikisht që të frenojë fuqizimin e frangës, për shkak të ekonomisë së saj që mbështetet shumë tek eksportet, megjithëse analistët kanë argumentuar se bizneset zvicerane kanë qenë në gjendje të mbeten konkurruese pavarësisht rritjes së frangës për shkak të inflacionit në eurozonë.

Në dhjetor, Banka Kombëtare e Zvicrës rriti normat e interesit për herë të tretë në vitin 2022, duke i çuar ato në 1%. Kjo lëvizje erdhi për të përballuar inflacionin prej 3%, një nivel ky shumë më i ulët se norma e inflacionit në eurozonë, e cila vazhdon të jetë mbi 10%.

Banka Kombëtare e Zvicrës u ndikua gjithashtu vitin e kaluar nga humbjet në portofolin e aksioneve dhe të obligacioneve të saj. Megjithatë, ajo fitoi 400 milionë franga nëpërmjet rezervave të veta të arit.

Karsten Junius, kryeekonomist në bankën zvicerane J.Safra Sarasin, tha për CNBC se humbjet e bankës qendrore nuk do të ndryshonin politikën e saj monetare dhe ai priste një rritje tjetër prej 100 pikë bazë këtë vit, e cila do t’i çonte normat në 2%.

“Ndërkohë që bankës qendrore do t’i duhet kohë për të rindërtuar rezervat e saj të vlerësimit, do t’i duhet më pak kohë për të arritur fitime sesa në rastin e Bankës Qendrore Europiane,” tha ai, duke vënë në dukje gjithashtu se inflacioni në Zvicër ishte më afër objektivit prej 2% sesa në eurozonë.

“Megjithëse të dyja bankat qendrore janë me fitim për nga pikëpamja strukturore pasi mund të rikalkulojnë detyrimet e tyre me një normë më të ulët sesa tregu, Banka Kombëtare e Zvicrës do të fitojë interes më të lartë në treg këtë vit, ndërkohë që BQE është e mbërthyer nga obligacionet e saj me yield-e të ulëta dhe nuk do të ketë fitime për shume vite.”

Video