Banka Europiane e Investimeve, përfaqësi në Shqipëri. Qeveria miraton vendimin

11 October 2024, 11:29Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Banka Europiane e Investimeve, përfaqësi në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve për hapjen e përfaqësisë së saj në Shqipëri.

Kjo marrëveshje vjen si pjesë e përpjekjeve për të forcuar partneritetin dhe për të përfituar nga financimet e BEI-së në sektorë të rëndësishëm për zhvilliimin e qëndrueshëm të vendit.

Por çfarë po financon konkretisht BEI në Shqipëri?

Banka Europiane e Investimeve po ofron mbështetje teknike për qeverinë e Shqipërisë për përgatitjen e projektit hekurudhor të Korridorit VIII në linjat hekurudhore Durrës – Rrogozhinë dhe Rrogozhinë – Pogradec.

Ndërkohë, Banka Europiane e Investimeve, e cila është në pronësi të 27 qeverive të BE-së, po financon Shqipërinë në projekte infrastrukturore të rëndësishme, siç është rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë- Hani i Hotit, duke dhënë kredi për këtë projekt prej 100 mln euro. 

Rehabilitimi i kësaj linje hekurudhore parashikohet të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit, por edhe mjedisit. Ky projekt ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe  për rajonin, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.

Banka Europiane e Investimeve ofron mbështetjen e saj në sektorë të rëndësishëm të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, siç është dhe Republika e Shqipërisë një kanditate drejt anëtarësimit dhe integrimit në BE.


Video