Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përjashtuar mundësinë e largimit të tij nga politika, duke deklaruar se një vendim i tillë do të favorizonte kryeministrin Edi Rama.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të hidhte hapin e parë dhe të largohej nga drejtimi i opozitës, Berisha e cilësoi këtë mundësi si absurde, duke këmbëngulur se tërheqja e tij do të sillte forcimin e kreut të qeverisë.
“Kjo nuk ndodh kurrë, është absurde. Kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën dhe të lash dorën e tij të zezë. Lëpirësit dhe puthadorët e Ramës thonë ashtu. Të na krahasosh ne të dy është të krahasosh ditën me natën. Tani ka një opozitë të vërtetë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së kundërshtoi gjithashtu krahasimet mes tij dhe kryeministrit Rama, duke pretenduar se opozita e drejtuar prej tij përfaqëson një alternativë të vërtetë përballë qeverisë. Ai nuk la hapësirë për mundësinë e tërheqjes nga politika, duke e lidhur qëndrimin e tij me kundërshtimin ndaj mazhorancës.