Avokati i Veliajt rrëfen prapaskenat: Rama më telefonoi duke fyer dhe kërcënuar

2 November 2026, 23:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Avokati i Veliajt rrëfen prapaskenat: Rama më telefonoi duke fyer dhe
Plarent Ndreca, Erion Veliaj dhe Edi Rama

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka deklaruar sonte në emisionin “Opinion” se kryeministri Edi Rama e ka telefonuar dhe e ka kërcënuar gjatë një komunikimi të tensionuar.

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës tha se mes tij dhe kryeministrit ka pasur shkëmbime kërcënimesh e sharjesh reciproke dhe se një komunikim i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së hënë.

Sipas Ndrecës, përplasja lidhet me marrëdhëniet mes Ramës dhe Veliajt.

Ai deklaroi se kryeministri e ka akuzuar personalisht se ka nxitur pavarësinë politike të Veliajt ndaj tij.

“Unë kam pasur një komunikim të tensionuar me kryeministrin. Edhe sot. Kam pasur telefonatë me kërcënime e sharje reciproke. Të tensionuar. Nuk është mirë t’i nxjerr, por jam i detyruar. Jam dëshmitar vetë dhe kam komunikime me kryeministrin. Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësitë e tij ndaj meje si këshilltar politik. Më ka thënë: Ti ke nxitur pavarësinë e Veliajt ndaj meje”, u shpreh Ndreca.

Ndreca tha se është dëshmitar i ngjarjeve të përmendura në pikën e tretë të letrës së publikuar nga Veliaj dhe se zotëron komunikime që, sipas tij, mbështesin pretendimet e kryebashkiakut.

Avokati i Veliajt shtoi më tej se ka dëshmitarë kur emri i Arbër Hajdarit i është vënë Veliajt si pasues i tij, por preferoi të mos zgjatej në këtë temë.

Avokati i kryebashkiakut tha se ndryshimi në trajtimin e Veliajt nisi pas reagimit për protestat në Serbi, ndërsa dha detaje lidhur me takimin mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu dhe Erion Veliajt në burgun e Fierit.

“Nga momenti kur bëri mesazhin për Serbinë ka pasur një ndryshim sjelljeje ndaj Veliajt nga Drejtoria e Burgut. Gogu thotë se ka shkuar për të parë kushtet e burgut, por ata janë takuar në zyrën e drejtorit të burgut për një orë e gjysmë. Nuk shihen kushtet e burgut te zyra e drejtorit. Nuk jam lejuar ta takoj Veliajn jashtë orarit zyrtar, ndërkohë që Gogu është lejuar edhe pse ligji na trajton njësoj si avokatin dhe ministrin”, tha Ndreca.

 


Video