
1.Nostalgjia dhe “logjika” e mendjeve të robëruara
Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e regjimit komunist dhe hyrja e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe në rrjedhat e globalizmit gllabërues. Në fillimet e tranzicionit postkomunist, horizontet e reja të lirisë u perceptuan si mundësi për zhvillim personal dhe kolektiv, por njëkohësisht edhe si terren i pasigurt, plot keqkuptime, kaos dhe humbje të “busullës personale” në një botë të re konkuruese dhe individualiste.
Pas një izolimi gati gjysmë shekullor, shqiptarët e përjetuan lirinë -shprehur me fjalët e Kierkegard-si një marramendje, ku shpresa dhe ankthi ishin bashkëshoqëruese të këtij ndryshimi epokal.
Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë “u arratis” përmes eksodeve masive drejt Perëndimit-tokës së premtuar. Të tjerë vinin vërdallë pa ditur se cfarë të bënin më lirinë e tyre. Forcat më aktive iu përveshën punës për të shfrytëzuar mundësitë e reja të ekonomisë së tregut.
Kalimi nga një shoqëri e izoluar, kolektiviste dhe e centralizuar, drejt një shoqërie të lirë, pluraliste dhe të hapur, nuk ka qenë linear. Përkundrazi, është shoqëruar me trauma të thella, si në planin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Tranzicioni, me zhvillimet e tij të shpejta dhe plot zigzake, krijoi një realitet të ri, ku individi, i privuar nga dora mbështetëse e shtetit, mbeti shpesh i vetëm përballë sfidave të mbijetesës, pa rrjete sigurie, pa orientim dhe pa ndjesinë e përkatësisë.
Në këtë kontekst pasigurie dhe zhgënjimi, nostalgjia për komunizmin u konfigurua dhe vazhdon ende të mbijetojë – jo thjesht si inerci historike apo romantizim i rinisë së humbur, por si simptomë e një shoqërie ku liria nuk është brendësuar ende si vlerë dhe përmasë ontologjike e njeriut.
Nostalgjia për komunizmin është kthyer në një prani të nënkuptuar në bisedat publike, në rrjetet sociale, në ankthin e përditshëmtë luftës për mbijetesë. Jo gjithmonë si ideologji, por si ndjesi. Si rimarrje fryme në një botë që duket se nuk ofron më asnjë siguri.
Nuk kërkohet ndonjë studim specifik sociologjik për të matur shtrirjen dhe shkaqet e nostalgjisë për kohën “kur ishim mirë dhe të barabartë”. Manifestime të nostalgjisë për kohën e komunizmit i shikon të shpalosen rëndom në komentet e shumta në rrjetet sociale, kur hapen tema për të kaluarën tonë të përbashkët ose kur postohen fotografi me koperativiste të “lumtura” në ara, me studentë të qeshur në aksione, në zbore, me pamje të paqta të qyteteve me këmbësorë ose biçikleta etj.
Nostalgjia është, në thelb, një përzgjedhje selektive etë kaluarës,ku kujtesa individuale bashkëvepron me kujtesën kolektive, me atë tërësi imazhesh dhe ndjenjash për të shkuarën të cilat aktivizohen përballë sfidave dhe pasigurive të së tashmes.E kaluara nuk përfshin vetëm fëmijërinë, rininë apo përjetimet personale, por edhe një mënyrë jetese të përbashkët, e përfaqsuar nga stereotipe dhe mendësi të formuara dhe strukturuara nën trysninë e propagandës totalitare.
Kujtesa kolektive e komunizmit për shumë qytetarë shqiptarë nuk lidhet me shtypjen, por me nostalgjinëpër rregullin; jo me mungesën e lirisë, por me mungesën e kaosit. Kjo është ajo që Hannah Arendt e quan “banalitet i totalitarizmit” – një normalitet i dhunshëm që, për shkak të përditshmërisë së tij dhe përhapjes kapilare në të gjithë trupin e shoqërisë, e humbet ndjesinë e së keqes.
Sipas “logjikës” së mendjeve të robëruara, në komunizëm “jeta ishte e bukur, e sigurt, kishte edukatë, njerzillëk, kishte shkollë, punë, shëndetësi falas, nuk kishte drogë dhe prostitucion dhe të gjithë ishin të barabartë”.E vërteta është se shteti totalitar, në shkëmbim të disa formave të sigurisë kolektive (punësim, shkollim, shëndetësi falas, siguri publike), kishte marrë peng lirinë personale dhe të drejtat themelore të njeriut.Dhe është pikërisht ajo që Isaiah Berlin do të bënte dallimin mes “lirisë negative” – si mungesë e ndërhyrjes së faktorëve të jashtëm në jetën e individit – dhe “lirisë pozitive” – si vetëpërmbushje e individit i cili vepron si agjenci me vullnet të lirëpër arritjen e objektivave personale. Regjimi komunist paternalist kishte bllokuar “lirinë negative” dhe me retorikën e tij pretendonte të ofronte “lirinë pozitive”, duke kufizuar lirinë individuale nëemër tëdomosdoshmërisëhistorike, prerogrativën për njohjen e tëcilës e kishte Partia/Shtet dhe se vetem ajo duhej tëpërcaktonte kursin e historisë, duke e kthyer individin nënjëautomat tëzbatimit të politikës shtetërore. Porpërvoja historike ka provuar se kërkesa për “rend dhe siguri”, shpesh është shfajësimi më i zakonshëm për të justifikuar heqjen e lirisë.
Në realitet, ato që shumë njerëz i shohin sot si problem shqetsuese -mungesa e sigurisë, papunësia, korrupsioni etj, nuk janë produkt i lirisë vetvetiu, por lidhen me shkaqe sistemike dhe strukturore, me demokracinëe brishtëdhe mungesën e politikave qeverisëse efikase dhe gjithpërfshirëse. Demokracia nuk është formulë magjike që sjell mirëqenie automatike për të gjithë dhe, për më tepër, nuk siguron barazi nëpasuri. Përkundrazi, demokracia është sistem i hapur, ku suksesi dhe dështimi varen nga përfshirja, ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e individit të lirë.
Etimologjikisht, nostos do të thotë kthim, ndërsa algos – dhimbje. Nostalgjia praështëkthimnë një utopi të pamundur, në një të kaluar të ripërpunuar nga kujtesa që filtron dhimbjen dhe ruan vetëm qetësinë. Nostalgjia është një elégji për një kohë që nuk mund të rikthehet, ndonëse perceptohet si strehë shpirtërore përballë një të tashmeje të vështirë.
Sipas studimeve sociologjike, nostalgjia shërben si mekanizëm mbrojtës, duke rikonstruktuar të kaluarën, përmes imazheve të ndritshme të selektuara, të cilat vendosen përballë të tashmes të zymtë dhe të trishtuar.
Eshtë pikërisht e tashmja, me dinamikat e reja sociale, me ndryshimet e shpejta dhe pasiguritë e individit në realitetin e ri kapitalist që ushqen nostalgjinë dhe riaktivizon glorifikimin e të kaluarës. Papunësia, korrupsioni, varfëria, mungesa e sigurisë, dobësimi rrjeteve të solidaritetit social, në shtresa dhe segmente të caktuara të shoqërisë kanë sjellë zhgënjime, humbje të shpresës dhe deziluzione në pritshmëritë nga politika.
Sipas studimeve psikologjike, nostalgjia është një gjendje mendore e cila evokon “kohën e lumtur të kaluar” përballë një të tashmeje sfiduese. Por siç vëren Erich Fromm, në veprën e tij “Arrstisje nga liria” (1941), njeriu shpesh ndjen ankth përballë pasigurive që sjell liria dhe tenton “të iki nga liria”–si prirje psikologjike për të shmangur përgjegjësinë si qënie e lirë. Sipas Fromm, liria nuk është vetëm çlirim nga autoriteti, por edhe aftësia për të vepruar në mënyrë autonome dhe me përgjegjësi.
Përballë një realiteti sfidues dhe tjetërsues, të hedhur në një botë globale që ndryshon shpejt, individët e frustuar dhe të zhgënjyer kanë prirjen të kërkojë ngushëllim në gjëra më të qëndrueshme, sikurse janë mitet e origjinës, të nacionalizmit glorifikues ose të kujtojnë me nostalgji sistemet autoritare që u premtonin“rend dhe siguri”.Vaclav Havel thekson se për shumë njerëz në demokraci, “jeta me të vërtetën”e realitetit, është më e vështirë sesa jeta në komoditetin e rrejshëm të sistemit të mëparshëm
Në këtë këndvështrim, manifestimet e nostalgjisë, duhen kuptuar dhe shpjeguar si pjesë e një proçesi më kompleks, pra jo vetëm si shenjë e dëshpërimit social por edhe si revoltë dhe shprehje e kërkesës së ligjshme për një jetë më dinjitoze, në një shoqëri pa polarizime të skajshme dhe hendeqe të thella sociale.
Në shoqëritë post-totalitare, njeriu njëdimensional, që ishte mësuar t’i nënshtrohet autoritetit dhe të funksionojë brenda një sistemi të mbyllur, i frikësohet lirisë. Ai nuk arrin ta përjetojë lirinë si mundësi për zhvillim, por si barrë, si ankth, si “xhungël”. Në këtë pikë, nostalgjia shndërrohet në një kthim emocional drejt një “utopie të pamundur” – në një të kaluar të idealizuar, e cilanë realitet ishte e kontrolluar dhe e mbushur me frikë e censurë.
Në setin e faktorëve që mbajnë gjallë dhe ushqejnë nostlgjinë, mund të renditen si nga më të rëndësishmit:
i.Dështimi politikës për të ndërtuar një demokraci funksionale, gjithpërfshirëse dhe me mundësi të barabarta për punë, prosperitet dhe jetë dinjitoze. Shoqëria jonë postkomuniste ka progresuar përmes polarizimit tëthellë social, është rritur pasiguria ekonomike,korrupsioni është bërë endemik dhe oportunitetet për punë vazhdojnë të jenë të kufizuara. “Njeriu nostalgjik”nuk është ndonjë Robinson Kruzo i izoluar, por jeton brënda një realiteti me padrejtësi, arbitraritet dhe barriera të cilat janë përtej vullnetit tëtij si qënie autonome.
ii.Kriza e vlerave kolektive dhe krizat identitare, veçanërisht tek brezat e mesëm dhe të vjetër. Sipas studimeve të përvojave të vendeve në tranzicion, kriza e identitetit kolektiv pas rrëzimit të një rendi totalitar është e pashmangshme. Kjo krizë nuk është vetëm politike, por thellësisht sistemike: rrënohen kuptimet, fjalët nuk përkojnë më me përvojat dhe individi nuk e njeh më veten në pasqyrat sociale që i ofrohen.Në këtë terren shfaqet nostalgjia – si një mekanizëm psikik mbrojtës, për të strukturuar përvojën përmes imazheve të thjeshta, të njohura, të qëndrueshme.
Në realitetin tonë, ajo që ushqen më shumë këtë ndjenjë është konfuzioni moral dhe boshësia vlerore e shoqërisë së sotme. Tregu i lirë nuk erdhi i shoqëruar me ndershmëri, por me lakmi. Liria e fjalës nuk prodhoi debat të shëndetshëm, por sharje dhe ndasi. Politika nuk u kthye në shërbim, por në biznes. Puna nuk është më e drejtë, por privilegj për ata që kanë“të njohur”.
Ne nuk kemi ndërtuar ende marrëdhënie të vërteta me lirinë dhe me Tjetrin. Kemi imituar formën, por pa i ndërtuar përmbajtjet. Demokracia është importuar si sistem, jo si kulturë. Kriza e vlerave ka krijuar terrenin e kulturës konsumeriste dhe në këtë realitet të polarizuar, ku një pakicë pasurohet më shumë dhe shumë të tjerë jetojnë në zgrip ose bëhen më të padukshëm, njerëzit fillojnë të kujtojnë “atë kohë” si një jetë më e ndershme, më e barabartë, më e qetë.
iii.Manipulimi i kujtesës historike, përmes narrativave të pjesëshme dhe mungesës së një reflektimi shoqëror të thellë mbi të kaluarën. Ne jemi një shoqëri e cila nuk e ka bërë katarsin e plotë kundrejt të kaluarës dhe ku e kaluara, më së shumti është manipuluar në shërbim të politikave të ditës, sesa është analizuar përmes një qasjeje në shërbim të krijimit të një kujtese kolektive distancuese nga “ferri iveshur me lule parajse”.
iv. Mungesa e edukimit me konceptin dhe kuptimin e lirisë dhe përgjegjësisë personale, si parakusht për funksionimin e individit një shoqëri të hapur, konkuruese dhe individualiste.
2.Koncepti filozofik dhe politik i lirisë
Liria nuk është thjesht flakja e diktaturës, e pengesave, kufizimeve ligjore dhe politike apo prani e të drejtave të shkruara në kushtetutë. Ajo është një gjendje ontologjike, një përmasë ekzistenciale që kërkon ndërgjegje, maturim dhe përgjegjësi individuale. Jean-Paul Sartre, filozofi i ekzistencializmit, shpalli se “njeriu është i dënuar të jetë i lire”. Kjo do të thotë se nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për vetë jetën tonë. Por kjo liri ekzistenciale shpesh kthehet në ankth – dhe nëse shoqëria nuk ofron instrumente për të kuptuar dhe menaxhuar këtë ankth, atëherë njerëzit kërkojnë strehë në kujtimet e një bote ku "vendimet i merrte dikush tjetër".
Në komunizëm, njeriu nuk zgjidhte: ai nënshkruante bindjen, jetonte në një botë të gatshme, ku mendimi i tij ishte i formatizuar dhe ku “e mira” kolektive vendosej nga lart. Në demokraci, liria është mundësi – por një mundësi që kërkon edukim, vetëdije, disiplinë morale dhe përpjekje të vazhdueshme për të mos rënë në apati, pesimizëm, në cinizëm apo në varësinë ndaj lëmoshës sociale.
Për këtë arsye, ndërtimi i një shoqërie të lirë nuk mund të jetë thjesht transformim institucional. Duhet të jetë një transformim kulturor dhe etik, ku liria të mësohet, të përjetohet dhe të mbrohet jo vetëm si e drejtë, por edhe si përmbajtje e brendshme e qenies njerëzore.
Kjo është arsyeja pse, edhe sot, nostalgjia për komunizmin shpesh del në sipërfaqe jo thjesht si mall për një sistem politik të kaluar, por si simptomë e një shoqërie që ende nuk ka përvetësuar lirinë si gjendje të brendshme, si mënyrë të të jetuarit.Kjo nuk është nostalgji për diktaturën, por për rendin/rregullin, për kuptimin, për dinjitetin e thjeshtë që duket i pamundur në një shoqëri që gjithçka e mat me lekë, ku spektakli, hedonizmi, klikimet dhe numrat efollowers-ve janë bërë ingredientët e kulturës konsumeriste.
Sepse liria nuk është thjesht të kesh të drejtë të flasësh, të udhëtosh apo të votosh – është aftësia për të përballuar pasojat e zgjedhjeve të tua, për të ndërtuar një jetë me përpjekje të përditshme dhe pa garanci absolute.
Për shumëkënd, kjo është e lodhshme. Liria i bën njerëzit përgjegjës për fatin e vet. Dhe kur ky fat është i vështirë, i padrejtë apo i pasigurt, mendja kthehet pas, në një të kaluar të idealizuar, ku “shteti kujdesej për gjithçka”, edhe pse përmes frikës, censurës dhe kufizimit të ëndrrave. Në këtë kthim pas nuk ka vetëm mall, por edhe një formë dorëzimi përballë sfidës që sjell liria. Njeriu që nuk mësohet me lirinë, shpesh i ngjan njeriut që nuk di ç’të bëjë me hapësirën bosh: më mirë –mendon ai-në një kafaz të mbrojtur dhe me pak ushqim, se sa i hedhur në rrjedhat e një bote të panjohur dhe me të papritura.
Përballë një realitetisfidues, një pjesë e njerëzve brohorasin për “siguritë” e së kaluarës nën patronazhin e shtetit paternalist dhe kontrollues. Lirinë, si mundësi, aset dhe instrument të zhvillimit individual, janë gati ta shkëmbejnë lehtësisht me “stomakun e mbushur” dhe “jetën e qetë”.Ajo që harrohet shpesh është se utopia e djeshme ishte, në të vërtetë, një hapësirë e mbyllur, e zhveshur nga dinjiteti individual.
Njeriu njëdimensional, para lirisë, vlerëson sigurinë. Liria i tremb ata që nuk janë mësuar të zgjedhin, që nuk kanë ushtruar asnjëherë përgjegjësinë e vet. Sepse liria nuk është vetëm e drejtë – është barrë. Është vendim. Është pasojë. Është frikë për të gabuar dhe guxim për të mbajtur përgjegjësi.Zygmunt Bauman na kujtonte se në modernitetin e lëngët, individi është i lirë vetëm në sipërfaqe, por i vetmuar dhe i braktisur në thelb. Në mungesë të strukturave mbështetëse – shtet, komunitet, solidaritet – liria kthehet në pasiguri. Dhe njeriu, nga frika se mos humbet gjithçka, shikon pas: jo për të adhuruar të shkuarën, por për t’u ngushëlluar se ndoshta dikur gjithçka ishte më e thjeshtë.
Nëse një pjesë e shoqërisë shqiptare vazhdon të ketë këtë mall për “kohën e shkuar”, kjo nuk është vetëm çështje kujtese selektive. Është edhe pasojë e një lirie të paartikuluar, të pashpjeguar, të papërkthyer në dinjitet, në drejtësi, në mirëqenie. Është përgjegjësi e politikës, e shkollës, e medias, e vetë individit që të përkthejnë fjalën "liri" në përvojë të prekshme.
Përndryshe, do të vazhdojmë të shohim drejt të shkuarës me përmallim, duke harruar se ajo e kaluar na kishte privuar nga liria për të qenë vetvetja, nga e drejta për të zgjedhur, për të gabuar dhe për të qenë më shumë se një “hallkë” e një makinerie kolektive.
Liria, ndryshe nga siguritë e rreme që ofronte një sistem i mbyllur totalitar, nuk ka recetë. Ajo është një rrugë pa përfundim, që kërkon kurajë, vetëdije dhe ndonjëherë edhe vetmi. Por është rruga e vetme për një shoqëri që dëshiron të mos mbetet peng i nostalgjisë, i frikës dhe i iluzioneve të së shkuarës.
Sot, në sfondin e një lirie të paartikuluar, pa përkthim konkret në mirëqenie, drejtësi apo meritokraci, nostalgjia kthehet si refleks mbrojtës. Dhe kur liria shihet si kërcënim, jo si vlerë, atëherë demokracia mbetet një skelet formal pa shpirt.
Nëse duam të kuptojmë nostalgjinë për komunizmin, duhet të kuptojmë se ku kemi dështuar si shoqëri që të japim kuptim real fjalës “liri”. Liria nuk është slogani politik, por përvoja konkrete e përkthyer në dinjitet, barazi përpara ligjit dhe mundësi reale për jetesë të mire.
Dhe derisa kjo të bëhet realitet i prekshëm për shumicën, nostalgjia do të vazhdojë të rrijë aty – si një jehonë e errët e së shkuarës, por edhe si një kujtesë se liria, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi, mund të jetë më e frikshme se çdo diktaturë.
Nëse duam ta kuptojmë nostalgjinë për komunizmin, duhet të kuptojmë se frika nga liria është ende e pranishme në thellësitë e ndërgjegjes kolektive. Por pikërisht këtu qëndron sfida: A jemi gati ta përballim lirinë? Jo si privilegj, por si barrë? Jo si dhuratë, por si detyrë? Sepse liria nuk është vetëm një e drejtë – ajo është një akt i përditshëm. Çdo ditë shkoj në betejën e jetës-thotë poeti Zhak Prever në një nga poezitë e tij.
3.Një e tashme që nuk guxon të ëndërrojë
Po, nostalgjia për komunizmin ende gjallon në fasha të caktuara të shoqërisë tonë.Mbi germadhat e moralit kolektivist kemi ngritur flamurin e individualizmit neoliberal, por nëmendjen e “njeriut nostalgjik” gjallojnëkujtimet e një“jete të qetë”. Jo sepse njerëzit duan diktaturën, por sepse ende nuk e përjetojnë dinjitetin që u premtoi demokracia. Në një realitet ku puna shpërblehet pak, ku të rinjtë largohen, ku e vërteta relativizohet dhe morali degradohet, kujtimi i një jete “të pastër” bëhet strehë imagjinare. Është një protestë e heshtur ndaj zbrazëtisë së sotme, një kërkesë e pashprehur për një rend më të drejtë, më të ndershëm, më të barabartë.
Kjo nuk është krizë politike. Është kriza e një shoqërie që ende nuk ka arritur të përkthejë lirinë në përgjegjësi dhe të drejtën në mundësi reale.
Ndaj pyetja që mbetet është kjo:A do guxojmë ta ndërtojmë lirinë si përvojë të përbashkët, apo do të vazhdojmë të jetojmë në nostalgji, thjesht sepse nuk dimë ç’të bëjmë me të tashmen tonë?
Kultura shqiptare, e ndërtuar mbi marrëdhënie vertikale të autoritetit – qoftë patriarkal, qoftë shtetëror – nuk ka pasur hapësirë për subjektin autonom, për individin që e koncepton veten si qenie zgjedhëse. Dhe pikërisht ky boshllëk ka prodhuar një ndjenjë thelbësore të ankthit modern shqiptar: kur përballë lirisë ndihesh i zhveshur, i pambrojtur, i humbur.
Në këtë kontekst lind një dilemë themelore për shoqërinë tonë: A është demokracia vetëm një kornizë proceduriale, apo një kulturë jetese? A është ajo një sistem ku individi mund të zhvillohet lirshëm, apo thjesht një tranzicion i pafund drejt një premtimi që nuk vjen kurrë?
Në Shqipëri, marrëdhënia me lirinë është ende asimetrike: shteti sheh qytetarin si votues një herë në katër vjet, por jo si bashkëkrijues të jetës publike. Shoqëria civile e sidomos të ashtuquajturat OJF- nganjëherë shihet si mekanizma biznesi, jo si pjesë e përfshirjes demokratike. Dhe qytetari, i zhgënjyer nga mungesa e rezultateve, tërhiqet në vetvete, në familje, në kujtimet e asaj kohe “kur të paktën ishim të barabartë në vuajtje”.
Në një prej eseve më të mprehta të tij, Zygmunt Bauman shkruan se moderniteti i vonë nuk e sheh më lirinë si arritje, por si barrë. Sepse liria kërkon angazhim, njohuri, durim, sakrificë. Kërkon që të mos presësh, por të bësh. Dhe në një vend ku për dekada e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të heshtje e të bindeshe, kjo është një përmbysje kulturore e dhimbshme.
Pra, nostalgjia për komunizmin nuk është vetëm ndjenjë politike – është një simptomë sociale, një tregues se liria nuk ka arritur ende të përkthehet në dinjitet dhe përmbushje për shumicën. Frika nga liria nuk vjen nga mungesa e vlerës së saj, por nga mungesa e përvojës me të. Liria nuk mësohet vetëm në libra. Ajo përjetohet në shoqëri ku drejtësia funksionon, ku puna shpërblehet, ku fjala e lirë nuk të penalizon, ku e ardhmja nuk është thjesht emigrimi.
Në këtë kontekst, ne si shoqëri dhe qytetarë kemi ende shumë për të mësuar nga vetvetja. Jo për t’u kthyer mbrapa, por për të kuptuar pse nuk e kemi përqafuar plotësisht të tashmen. Pra, a kemi frikë nga liria? Apo kemi frikë sepseliria është sacrificë, liria ështëbetejëdhe shpesh dyshojmë nëse demokracia do të na japë atë që na është premtuar!
Në fund të fundit, dilema mbetet: Të kthehemi në të shkuarën për ngushëllim, apo të qëndrojmë në të tashmen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë?