
Nga Marenglen Kasmi*
Ndonëse me ritme të ngadalta, lufta në Ukrainë po shndërrohet në një precedent të ri të luftës moderne. Pas më shumë se dy vitesh përleshjesh frontale dhe goditjesh reciproke me raketa, konflikti tashmë është zhvendosur edhe brenda territorit rus. Sulmet me dronë ukrainas në bazat ajrore të thella të Rusisë nuk janë më përjashtim, por pjesë e një strategjie të qëndrueshme që kërkon të tronditë bindjen e vjetër ruse se hapësira territoriale ruse e pamasë është e paprekshme. Burimet ukrainase flasin për dëme të konsiderueshme ndaj aviacionit strategjik rus – deri në një të tretën e tij të nxjerrë jashtë luftimi.
Një shifër e tillë, nëse është e saktë, nuk ka thjesht vetëm vlerë teknike. Ajo prek në themel nocionin e prestigjit ushtarak rus. Dhe me këtë, rritet frika e pashmangshme: a ndihet tashmë Rusia e rrezikuar në zemër të saj? A do të përdorë armët bërthamore si rrugëdalje?
Që prej vitit 1945, asnjë armë bërthamore nuk është përdorur në luftë. Jo sepse nuk ka pasur konflikte të mëdha, por sepse e gjithë bota ka ndërtuar një kod të pashkruar, pra pragun që nuk duhet kaluar prej askujt. Rusia, ndonëse zotëron arsenalin më të madh në botë, e ka respektuar këtë kod, duke e përfshirë në doktrinën e saj zyrtare.
Sipas doktrinës bërthamore të Rusisë (miratuar në vitin 2020), armët bërthamore mund të përdoren në katër rrethana:
Në rast sulmi ndaj Rusisë me armë bërthamore;
Në rast të një kërcënimi për ekzistencën e shtetit rus;
Në rast të një sulmi ndaj infrastrukturës që paralizon kapacitetin bërthamor;
Si përgjigje ndaj përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Sa më sipër, një armë bërthamore mund të përdoret vetëm në rast se kërcënohet ekzistenca e shtetit rus ose nëse ndodh një agresion me armë të ngjashme ndaj territorit të saj. Asnjë prej këtyre kritereve nuk është plotësuar realisht nga sulmet ukrainase, pavarësisht dëmeve në bazat ushtarake. Megjithatë, propaganda ruse po e përdor këtë situatë për të ndërtuar narrativën se “ekzistenca e shtetit është në rrezik”, duke e turbulluar qëllimisht linjën ndarëse mes kërcënimit të perceptuar dhe atij real.
Por çfarë ndodh kur “ekzistenca” interpretohet si çështje imazhi, jo mbijetese? Çfarë ndodh kur një lider që ka ndërtuar të gjithë pushtetin mbi idenë e fuqisë absolute, sheh se flota e tij strategjike digjet nga dronë që kushtojnë më pak se një raketë kundërajrore?
Historia na paralajmëron. Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjermania Naziste po shembej, Adolf Hitleri priste me obsesion lajmin për shpikjen e një “super-arme” që do ta kthente rrjedhën e luftës. Në dokumentet e Reich-it përmenden udhëzime të përsëritura për përparimin e projektit atomik gjerman – ndonëse ai ishte shumë pas projektit Manhattan të SHBA-së. Në bisedat me rrethin e ngushtë, Hitleri e përfytyronte armën bërthamore jo më si mjet fitoreje, por si mjet hakmarrjeje për shkatërrimin e Berlinit dhe për “poshtërimin” e Gjermanisë nga aleatët. Shkenca e pengoi atëherë këtë çmenduri; por vullneti i një lideri në dëshpërim total, i gatshëm të tërheqë botën me vete në rënien e tij, nuk është risi e kohëve tona.
Nga ana tjetër, përdorimi real i një arme bërthamore – qoftë edhe në një zonë të pabanuar – do ta izolonte përfundimisht Rusinë. Kina, e cila është mbështetësi më i heshtur i Kremlinit, e ka bërë të qartë se kundërshton çdo lëvizje të tillë. India gjithashtu. Perëndimi nuk do ta linte këtë akt pa përgjigje – ndoshta jo bërthamore, por ushtarake dhe ekonomike me pasoja të pakthyeshme.
Putini e di këtë. E di se një akt i tillë nuk do të forconte pozitën e tij, por do ta vinte në rolin e një udhëheqësi të izoluar që hodhi gurin e parë në shembjen e rendit të pasluftës. Prandaj, kërcënimi mbetet pjesë e gjuhës politike, jo e planit operacional.
Por koha po punon kundër tij. Çdo sukses ukrainas në thellësi të Rusisë e shtyn atë më afër kufirit të frikshëm të paqëndrueshmërisë. Nuk kemi mbërritur ende aty – por jemi më afër tij se kurrë.
Megjithatë, përgjigjja për pyetjen që shtrohet në titull është e qartë dhe duhet dhënë me maturi, por edhe me bindje: jo, nuk jemi në prag të përdorimit të armëve bërthamore. Gjasat reale për një hap të tillë janë të papërfillshme, për sa kohë që Rusia nuk ndjen rrezik ekzistencial real për mbijetesën e saj si shtet.
Frika është e kuptueshme. Por përdorimi i armëve bërthamore mbetet, për momentin, më shumë mjet presioni, sesa një opsion real.
*Historian ushtarak