“Na duhen më shumë "llustraxhinj" se gazetarë”

15 Nëntor 2025, 15:55Pikëpamje SHKRUAR NGA MENTOR KIKIA
“Na duhen më shumë "llustraxhinj" se gazetarë”

Një mëngjes të shtune….

Gzimi është llustraxhiu që punon në trotuarin pas Muzeut Kombëtar, në Tiranë.

Kisha kohe pa i lyer këpucët te lustraxhiu.

-Ke punë?- e pyeta

-Shumë pak- tha.

-Ke të drejtë - thashë, - ja edhe unë kam vite që e bëj vetë këtë punë. Që kur kanë dalë këto tubetat e bojës dhe furçat që i blejmë në dyqane.

-Jo vetëm kjo - tha Gzimi. Na mori më qafë atletja. Janë bërë të gjithë me atlete. Çuna, goca, gra e burra. Ja, sa je ulur ti, vetëm dy burra kanë kaluar me këpucë.

Gzimi i shikon kalimtarët nga këmbët, çfarë kanë veshur, sepse ai me këmbët e tjerëve punon.

-Ja dhe ky që ka vesh këpucë, i ka llustru vetë. Nuk e ka bërë mirë, por i ka bërë vetë.

S’kam pension- vijon të tregojë- , s’kam ça të bëj, kam 20 vjet që bëj vetëm këtë pune. Do punoj këtu sa të kem mundësi.

Qytetet dikur gëlonin nga lustraxhinjtë-

-Hajde llustra. -Llustra këtu!

Ndryshojnë kohët. Llustraxhiu thuajse është zhdukur si profesion.

Pale sa profesione do të zhduke AI-ja tani.

Gjithsesi, unë i premtova Gzimit që do vij më shpesh ti lyej këpucët, pasi unë vesh shumë rrallë atlete.

Ndërsa hidhja këto radhë për Gzimin, u kujtova se edhe unë, ashtu si Gzimi, kam punuar pa sigurime nja 10 vjet të paktën. Dhe kam qenë gazetar pa le. Mos duhet të marr edhe unë ndonjë zanat? - mendova - se pensionit nuk i dihet. Se për gazetarë nuk ka më nevojë në Shqipëri.


Video