Nga ballkoni i shtëpisë sime

14 Nëntor 2025, 13:04Pikëpamje SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Foto nga arrestimi i picierit që vrau kuzhinierin

Nga Entela Resuli

Jetoj te Komuna e Parisit. Për shkak të vajzave të vogla, në punë shkoj me orar të kufizuar. Terreni është dëshira ime më e madhe.

Vetëm brenda këtij muaji nuk e kam pasur fare të nevojshme, sepse ngjarjet më kanë ardhur në lagje.
Nga ballkoni i shtëpisë kam filmuar disa raste: sherre, konflikte mes njerëzve, përplasje me policinë, deri edhe vrasje.

24 shtator — dy djem u përleshën mes tyre, skena të llahtarshme që shkaktuan panik mes banorëve, në mes të ditës, në mes të rrugës!

28 tetor — picieri ther kamerierin me thikë; njëri vdiq, tjetri përfundoi në burg.

12 nëntor — një i ri nuk i bindet policisë; këta të fundit e marrin zvarrë dhe e fusin në furgon, ndërsa dhjetëra burra të tjerë i shkojnë nga pas për ta “shpëtuar”!

Një lagje, kaq shumë ngjarje — të gjitha me tension, dhunë dhe humbje jete.

Një vend me më pak se 2 milionë banorë të mbetur, që çdo ditë prodhon vrasje, aksidente, sherre…
Boh! A ka diçka që nuk shkon këtu? Apo jetojmë brenda një fluske tensioni që vetëm fryhet dhe nuk dihet se kur — e nëse — do të plas ndonjëherë!

A ka një stres të vazhdueshëm, konstant, që po zgjat në kohë, duke i bërë njerëzit më agresivë, më të lodhur, më të demoralizuar?

A po thellohen çdo ditë e më shumë shtresat ekonomike — disa shumë të pasur që e ekspozojnë luksin e tyre, dhe të tjerë që me vështirësi kalojnë muajin?

A shoqërohet kjo me një krizë identiteti, ku krahasimi është i pashmangshëm?

Apo ndoshta duhet që të gjithë bashkë të futemi në ato kurset e motivimit, që çfarëdo të ndodhë rreth nesh ta shohim “me ngjyra”?

 



Video