Mohimi i urisë në Gaza, po aq i neveritshëm sa mohimi i Holokaustit!

30 July 2025, 16:07Pikëpamje SHKRUAR NGA NGA GIDEON LEVY
Mohimi i urisë në Gaza, po aq i neveritshëm sa mohimi i
Një burrë mban trupin e foshnjës palestineze Zainab Abu Haleeb, e cila sipas zyrtarëve shëndetësorë vdiq nga kequshqyerja, në Spitalin Nasser në Khan Yunis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, të shtunën.

Nga Gideon Levy - Haaretz

Nuk ka shumë dukuri më të pamëshirshme se mohimi i Holokaustit hebre. Mohuesit kanë pretenduar se ai nuk ka ndodhur kurrë, ose se numri i viktimave ka qenë i vogël, apo se nuk ka pasur dhoma gazi. Ata kanë bërë matje dhe kanë përdorur të dhëna për të mbështetur këto teza. Sipas tyre, Holokausti ka qenë një konspiracion për të fituar dëmshpërblime dhe keqardhje. Në shumë vende, mohimi është kriminalizuar dhe mohuesit konsiderohen antisemitë. Historiani britanik David Irving u burgos në Austri dhe u stigmatizua.

Shprehja e dyshimeve për 7 tetorin është dënuar në Izrael, dhe kushdo që ka guxuar të flasë është etiketuar si antisemit. Kur Roger Waters pretendoi se nuk kishte dëshmi për përdhunime dhe se historia e foshnjave të djegura në furrë ishte një gënjeshtër izraelite, ai u sulmua gjerësisht, si edhe të tjerë që kanë vënë në dukje ekzagjerimet në rrëfimet izraelite.

Në javët e fundit, një valë e neveritshme mohimi ka përfshirë Izraelin, paradoksalisht. Ajo është përhapur gjerësisht në publik dhe është përqafuar pothuajse nga të gjitha mediat. Janë përpjekur ta injorojnë, ta fshehin, t’i shmangen, t’ia atribuojnë Hamasit, ta justifikojnë me luftën, të pretendojnë se nuk ka njerëz të pafajshëm në Gaza, derisa krimet izraelite në Gazë kanë kaluar çdo kufi. Me fillimin e urisë vdekjeprurëse të qëllimshme, mohim ishte alternativa e vetme, njësoj e pështirë sa mohimi i Holokaustit.

Mohimi aktual përfshin edhe mohimin e qëllimit gjenocidal dhe synimin transparent për zhvendosjen e popullsisë së Gazës. Ky lloj mohimi është i pranueshëm në Izrael, përputhet me korrektesën politike lokale, nuk ka uri! Askush nuk do të dënohet për shkaktimin e saj.

Ky qëndrim është bërë normë. Përshkrimet mbi urinë e qëllimshme në Gaza cilësohen si konspiracion antisemit. Nëse ka uri, bisedoni me Hamasin.

Kjo ndodh kur nuk ke më justifikime, mashtrime apo propagandë. Kështu ndodh kur devijon aq shumë moralisht sa të thuash se nuk ka uri kur pamjet janë para syve. Çfarë të drejte kanë njerëzit ta thonë këtë?

Ekzistojnë 50 nuanca të mohimit izraelit, të gjitha të neveritshme. Nga shmangia me sy, te rrotullimi i tyre, te mjegullimi, fshehja dhe gënjimi ndaj vetes. Të gjitha me të njëjtin objektiv: shmangien e fajit, ruajtjen e rolit të viktimës, dhe lavdërimin e vetes. Mohuesit vijnë nga çdo shtresë e shoqërisë.

Kjo përfshin katër studiues izraelitë që kanë shkruar një ese me titullin “Gjenocidi i supozuar në luftën Shtizat e Hekurt”, të cilëve u doli zbuluar pafajësia nga historiani i Holokaustit Daniel Blatman dhe gazetari Nir Hasson, si dhe gruaja që shpërndan falas gazetën ditore Israel Hayom, e cila më tha me vetëbesim se fotot e urisë janë “nga Jemeni ose të prodhuara nga AI.”

Kjo përfshin gjithashtu gazetaren televizive Moriah Asraf, që me arrogancë të neveritshme ka heshtur gazetaren e pavarur Emmanuelle Elbaz-Phelps, si dhe të gjithë redaktorët e lajmeve televizive që po fshehin atë që po ndodh në Gaza.

Mohimi ka qenë pjesë e Izraelit që nga Nakba e parë, në 1948, që kurrë nuk ka ndodhur, sipas tyre, dhe është shpikur nga ata që urrejnë Izraelin. Ai ka vazhduar gjatë viteve të pushtimit dhe aparteidit. Nuk ka shoqëri në botë që jeton kaq shumë në mohim të vetvetes, për shumë arsye, për shkak të shtypit të saj të lirë. Por ajo që po ndodh në javët e fundit i kalon të gjitha rekordet e poshtërimit.

Sipas tyre, nuk ka uri në Gaza, pasi kamionët janë në pritje në kufi, prindërit e fëmijëve të uritur janë obezë, ekziston një video e terroristëve të Hamasit që hanë banane në tunelet e tyre (një foto e bërë gjashtë muaj më parë, e shpërndarë tani nga zëdhënësi i IDF, autoriteti kryesor i propagandës në vend). Ka diçka edhe më të poshtër se shmangia e fajit: përçmimi i viktimës, i fëmijës që vdes në krahët e nënës së tij që qan. T’i thuash asaj se nuk ka uri të qëllimshme është njësoj si t’i përqeshësh dhimbjen.

Prej vitesh kam besuar se, edhe po t’i paraqisnim izraelitëve të gjitha provat e tmerrshme, ata do t’i refuzonin. Prova tani është aty. Pamjet e urisë mbushin ekranet e TV-ve dhe gazetat në mbarë botën… dhe izraelitët e mohojnë.

Me çfarë vetëbesimi e deklarojnë se këto pamje janë të rreme, se nuk ka të uritur, se ka banane, se në Gaza hyjnë 80 kamionë në ditë. Ky është saktësisht modeli i profesorit francez Robert Faurisson: ai pretendoi se, bazuar në volumin e dhomave të gazit, Holokausti nuk ka ndodhur kurrë.


Video