Nga Séamas O’Reilly – The New Statesman
Mes frikës dhe pështjellimit që ka shkaktuar lufta e Amerikës dhe Izraelit me Iranin, tmerri është i bollshëm. Numri i viktimave në terren mes civilëve iranianë është lartë dhe vazhdon të rritet, ndërsa bombardimi nga ajri i një shkolle vajzash në Minab, ku u vranë 150 fëmijë, shërben si shembulli më i qartë dhe më i frikshëm. Konflikti është përhapur tashmë në katërmbëdhjetë shtete, mund t’i shtyjë vendet e Gjirit të rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Amerikën, e cila duket a paaftë t’i mbrojë nga raketat iraniane dhe rrezikon ta çojë çmimin global të naftës në $150 për fuçi. E gjithë kjo teksa Trump dhe miqtë e tij këmbëngulin ta quajnë njëherazi luftë dhe jo luftë, ndërkohë që nuk pranojnë të japin asnjë justifikim konsistent për nisjen e konfliktit, apo çfarë synimesh kanë, as ndaj Kongresit e as ndaj publikut amerikan. Me pak fjalë, lufta është një vrimë e zezë iracionaliteti dhe frike, nga e cila asnjë rreze drite nuk mund të shpëtojë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja përse kaq shumë njerëz përpiqen të nxjerrin qoftë edhe një grimë drite nga rrënojat.
Për thuajse këdo, një shenjestër specifike kënaqësie perverse ka lindur, e përshkruar ndofta më së miri nga deklarata që Financial Times arriti t’i merrte “drejtuesit të një fondi të rëndësishëm global investimesh me prani në Dubai.” Po e citoj: “është shumë e frikshme – kjo do të ketë pasoja për disa nga klientët e mi… Ideja ishte që, duke qenë në Dubai, ti nuk ekspozoheshe ndaj gjeopolitikës.”
Ishte si një dhuratë nga qielli për ata që po ndiqnin të vetmin aspekt të kësaj rrëmuje të ngatërruar që duket se po bashkon të gjithë internetin: reagimet e të Perëndimorëve të pasur dhe influencuesve në Dubai dhe në të tjera shtete të pasura të Gjirit, teksa përpiqen të postojnë rrugëtimin e tyre përmes një lufte. Richard Keys, një prezantues me bazë në Doha, postoi se shpresonte që transmetimet e ardhshme të ndeshjeve të futbollit mund të shërbenin si shpërqendrim nga dhuna. Gazetarja Isabel Oakeshott, e vendosur në Dubai, lavdëroi mësuesin me aftësi të kufizuara që sfidoi sulmet nga ajri për t’i dhënë mësim vajzës së saj, duke nxitur mijëra reagime kritike. (Një përgjigje veçanërisht e hidhur shërben si përmbledhje praktike e formës dhe tonit të këtyre komenteve: “Gjëja ime e preferuar rreth të jetuarit në një petroshtet pa taksa dhe të ndërtuar në një varrezë masive skllevërish është kur mësues me aftësi të kufizuara sfidojnë bombat iraniane”). Ian Miles Cheong publikoi një seri videosh promocionale çuditërisht të ftohta për qytetin-shtet ku është zhvendosur. Andrew Tate kërceu në perëndimin e diellit në Dubai dhe u mburr me planet e tij për të kaluar nga Arabia Saudite në Dubai, vetëm për t’u penguar më pas nga autoritetet saudite. E gjitha kjo mes një trendi, ku Perëndimorë të pasur dhe influencerë shfaqnin luksin pa telashe të jetës së tyre, nën mbishkrimin: “Jeton në Dubai – nuk ke frikë?”
Dubai ka qenë prej kohësh objekt zemërimi për shumë njerëz. Është, në mënyrë të pashmangshme, një parajsë fiskale për super të pasurit, me një përqendrim të jashtëzakonshëm oligarkësh, kriminelësh, anëtarë kartelesh dhe personazhesh të dyshimtë. Është një qytet-shtet i pasur me naftë, i qeverisur nga një autokraci e njohur për shkeljet e të drejtave të njeriut, ku dënimi me vdekje lejohet si për tradhtinë bashkëshortore ashtu edhe për homoseksualitetin, dhe ku punëtorët migrantë me paga të ulëta duhet të përballen me sistemin Kafala, i cili, sipas Global Slavery Index, i shtyn rreth 132 mijë njerëz në kushte që i ngjajnë skllavërisë moderne.
Por në përfytyrimin e publikut botëror, Dubai ia ka dalë të përfaqësojë edhe diçka tjetër, në dukje më pak politike: një lloj xhingle të shndritshme, për shije të dyshimta, i banuar nga njerëz të bosh.
Disa – kryesisht banorë të Dubait – i interpretojnë këto reagime si një shenjë zilie. Duke qenë se reagimi ka qenë kaq i fortë dhe kaq i përhapur, është e vështirë të mohohet plotësisht ky argument. Në fakt, nuk janë artikujt e shumtë të mediave për krimin, politikën apo financat që formojnë imazhin e zakonshëm të njerëzve për qytetin. Në njëfarë mënyre, ata që e përqeshin Dubain si një hapësirë boshe e pa kulturë, që nuk kontribuon asgjë në botë, gabohen. Ata harrojnë eksportin e tij më të madh sot: një shenjestër që mund të goditet pa ndjesi faji, një simbol të dekadencës së tepruar. Një Nju Jork mesdhetar për miliarderët, që tani është kthyer në një Firence të kënaqësisë së përjetuar nga fatkeqësia e tjetrit.
Shumica e njerëzve që kanë parë pak nga prapaskena e këtij qyteti e kanë bërë këtë përmes rrjeteve sociale, ku postimet rreth luks të aspiruar nga influencerë që jetojnë në Dubai janë bërë diçka e zakonshme. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumëkush e ka të vështirë të kritikojë në mënyrë sistematike problemet e shumta të Dubait pa rënë në përçmim, një lloj përbuzjeje që do të ishte e paimagjinueshme për çdo qytet tjetër që përballet me bombardime ajrore – shpeshherë me një nëntekst të qartë klasor.
Zemërimi nuk drejtohet aq ndaj oligarkëve apo bosëve të kartelit në zyrat e tyre në rrokaqiej, sa ndaj klasës së influencerëve ‘selfmade’ të Dubait. Ata sulmohen në një mënyrë që të kujton pamfletet e shekullit XVIII kundër aristokratëve arrivistë: parvenu të neveritshëm që jetojnë në luks të pamerituar në një Instagramopolis të artë. Disa madje shprehin hapur kënaqësi me idenë që këta njerëz mund të shkatërrohen nga bombardimet – pa reflektuar se, me shumë gjasë, të parët që do të zhdukeshin do të ishin, si të themi, skllevërit modernë që punojnë aty.
Në njëfarë mënyre, zilia që interneti ndjen ndaj të pasurve dhe të bukurve ka arritur kulmin e saj pikërisht në Dubai, e ushqyer nga fotografi të pafundme suita sterile, penthouse me pamje nga palma dhe trotuare të mbushura me Lamborghini. Një rrjet i pafund reklamash të sponsorizuara, buzëqeshjesh me dhëmbë të rregulluar në Turqi dhe video-turësh në pista skish të brendshme që shkrijnë akullnajat.
E gjithë kjo ka krijuar ndoshta viktimat më pak të simpatizuara në planet: ata që përthithin fajin për tmerret më të gjera të kapitalizmit. Një vend që nuk pretendon të mishërojë vlerat perëndimore, por që në fakt i përmbledh ato në mënyrë të plotë. Një vend i populluar nga personazhet që ne nuk mund të ndalojmë së ndjekuri çdo ditë me klikimet tona. Një vend i ushqyer nga energjia që ne konsumojmë, i lëvduar nga liderët që ne zgjedhim – dhe tani në rrezik të rrafshohet nga kombet që po ata liderë bombardojnë.