Drejtësia në vendin tonë vijon të mbetet një “peshore e thyer” që siç tregon dhe rasti i fundit, anon më tepër nga i pushtetshmi, i fuqishmi, sesa nga një njeri i zakonshëm.
Ditën e sotme në dyert e SPAK trokiti sërish Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, i cili u shfaq i qeshur teksa e çoi dhe e mori një makinë me shofer personal. Malltezi hyri në SPAK si ta kishte të shtruar tapetin e kuq, ndonëse nën masën “arrest në shtëpi”, ai u shfaq si një njeri i lirë.
Një kontrast i madh ky me rastin e Alma Kaçit, e cila ka të njëjtën masë arresti me Malltezin, por paraqitja e saj në SPAK ndryshon si nata me ditën.
Ajo është marrë me polici nga banesa e saj, dhe po me polici është shoqëruar deri te dera e SPAK-ut, e madje pasi ka dhënë dëshminë, është rikthyer sërish e shoqëruar me polici aty ku duhet të qëndrojë nën “arrest shtëpie”.
Në fakt, ndaj Kaçit nuk është bërë padrejtësi. Është zbatuar e gjithë procedura ashtu siç duhet të ndodhë me çdokënd, përshirë edhe “VIP”-at, të pushtetshmit, apo të fortët.