Berisha si Dimitirov, por “Rajhstagun” s’ka ndërmend ta djegë njeri…

24 Janar 2024, 10:30Pikëpamje SHKRUAR NGA ARDIT RADA

Nga Ardit Rada

Ka qenë në natyrën e komunistëve të shekullit të XX, që nga të akuzuar të ktheheshin në akuzues të trupave gjykuese. Krahas rasteve që kemi parë në filmat e soc-realizmit dhe teatër, historia njeh raste të vërtetë. Në Shqipëri fjala bie, e nisi Ahmet Zogu në 1938 me gjyqin kundër 73 komunistëve me në krye Qemal Stafën. Tentativa e mbretit për ta bërë gjyqin publik pati efektin e kundërt ku procesi u kthye në spektakël dhe komunistët u bënë të famshëm të ndihmuar dhe nga oratoria e tyre.

Në botë njihet rasti i Rajhstag, pallatit të famshëm në Berlin që mblidhte e mbledh brenda legjislativin etj. Teksa Rajhstag u përpi nga flakët një mbrëmje të shkurtit 1933, Adolf Hitler dhe Herman Gering i gjetën fajtorët në kohë rekord. Gjyq i stisur apo jo, në proces krahas një dënimi kapital, spikati Georgi Dimitrov. Ai e ktheu gjyqin në favor të komunistëve duke u shndërruar nga i akuzuar, në akuzues. Dhe në fund shpëtoi.

Nga kjo eksperiencë nuk mund të bënte perjashtim edhe Sali Berisha, si ish-komunist i zellshëm që me gjithë udhëheqjen e asaj kohe nuk ka një apo dy foto, por album fotografik. Në pastë ndërruar lëkurë, duket se taktikat i kanë mbetur të njëjta siç ia kanë mësuar në historinë e partisë. Po ta krahasojmë fjalimin e Berishës te dera e SPAK ku akuzonte prokurorët dhe demaskonte procesin, është fije e për pe fjalimi i Dimitrovit 90 vite më parë. Fliste edhe ai për mbrojtje të nderit personal e familjar, për betejë ndaj padrejtësisë dhe sigurisht ashtu si Berisha: për revolucionin që marshon.

Problemi i vetëm në këtë mesele është se askush nuk e ka djegur Rajhstagun në Shqipëri dhe as kanë ndërmend ta bëjnë. I pari dështoi Flamur Noka teksa ndizte pranë karrigeve të parlamentit shaminë e Berishës. Të dytët janë vetë socialistët që duke e injoruar përballjen e Berishës më drejtësinë, duket s’e nuk do të merren me të kurrë më. Së treti dështoi vetë drejtësia që s’ka ndërmend ta hetojë për tragjeditë që na kanë ndodhur sa herë ka qeverisur Sali Berisha. Në tre palë qeveri, tre tragjedi. Si President me Otranton dhe 1997-ën. Si Kryeministër me Gërdecin dhe që të ngopej tamam, mandatin e dytë mori edhe Ilir Metën në qeveri për të bërë 21 Janarin.

Sot, gjithnjë e më pak, po bëhet e besueshme se Sali Berisha do ta shohë derën e qelisë prej një gjyqi pronash. Jo se është krim i vogël korrupsioni, por sepse duhet një akuzë tjetër për t’ia mbyllur gojën njeriut që ka mbjellë veç vdekje.

Deri atëherë do të ndjekim SHOW-n sesi Berisha akuzon prokurorin e tij pse ka qenë hetues, kur ai vetë ishte sekretar Partie.

Video