Dita e Pavarësisë së Ukrainës

24 Gusht 2022, 11:37Pikëpamje SHKRUAR NGA VOLODYMYR SHKUROV
Volodymyr Shkurov

Të dashur ukrainas dhe miq të Ukrainës, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Besimin ndaj popullit tonë dhe Forcat e tij të Armatosura! Fitores!

Më 24 gusht, vendi ynë feston festën më të rëndësishme, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Një ditë më parë, më 23 gusht, ukrainasit festojnë Ditën e Flamurit Kombëtar të Ukrainës.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, republikat që e përbënin atë shpallën pavarësinë e tyre.

Më 24 gusht 1991, VerkhovnaRada e SSR-së së Ukrainës miratoi "Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Ukrainës". Ky dokument historik pasqyroi aspiratat mijëvjeçare të popullit ukrainas për një shtet sovran dhe përcaktim të pavarur të rrugës sonë të zhvillimit.

Këtë vit, për herë të 31-të, ne përurojmë ngjarjen që shënoi faktin se Ukraina u lirua nga prangat e varësisë nga Bashkimi Sovjetik dhe u bë një shtet i pavarur. Çmimi i pavarësisë sonë janë jetët e atyre që luftuan për idenë e Ukrainës së lirë me armë, fjalë dhe bindje; vite të lirisë së humbur për ata që burgosen për këtë në kampe dhe burgje.

Këtë vit, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, ne festojmë në kushtet e një lufte në shkallë të gjerë, të nisur nga Rusia kundër Ukrainës pikërisht gjashtë muaj më parë. Bëhet fjalë për një luftë, realitetin e së cilës askush nuk mund ta besonte. Megjithatë, vrasjet masive të ukrainasve dhe shkatërrimi i pamëshirshëm i infrastrukturës jetike, qyteteve dhe fshatrave, uzurpimi i termocentraleve bërthamore dhe shantazhi cinik bërthamor i të gjithë Evropës, i detyrojnë të gjithë ata që kanë ndërgjegje të ngrenë zërin kundër kësaj lufte të tmerrshme.

Miliona ukrainas mbetën pa banesa dhe mjete jetese për shkak të rrënimit dhe sulmeve shkatërruese raketore të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës. Dhjetëra miliona ukrainas u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, nga vendi i tyre, dhe të kërkonin shpëtim në të  gjithë botën. Vdekja e ushtarëve tanë, qytetarëve civilë, dhimbja, pikëllimi, lotët – të gjitha këto vijnë si rezultat i luftës kriminale të Rusisë kundër Ukrainës.

Krimet kundër njerëzimit që tronditën të gjithë botën e qytetëruar: pushkatime, tortura dhe përdhunime të banorëve të periferisë së Kyivit, Buches, Irpenit, Borodyankes dhe qyteteve e fshatrave të tjera, shkatërrimi i Mariupolit, krimi i fundit i luftës nga rusët në Olenivka, si rezultat i të cilit vdiqën më shumë se 53 të burgosur ukrainas të luftës, nuk i lejojnë njerëzit e ndërgjegjshëm të dyshojnë në qëllimet çnjerëzore të agresorit. Me gjithë rezistencën totale të ukrainasve në territoret e pushtuara, Rusia kryen pasaportizime të paligjshme dhe përgatitje të referendumeve të rreme në rajonet e Zaporizhias dhe Khersonit, përpiqet të dobësojë efektivitetin e sanksioneve ndërkombëtare, t’i imponojë Ukrainës negociata të pafavorshme për paqen, t’i bëjë shantazh botës me urinë, mungesën e karburantit dhe rrezikun e mundshëm bërthamor.

Rusia preku edhe një herë fundin në historinë botërore të terrorizmit. Askush tjetër nuk ka përdorur një central bërthamor kaq qartë si kërcënim ndaj të gjithë botës për të vendosur kushtet e tyre, siç po e bëjnë rusët sot. Presidenti ynë, VolodymyrZelenskyy, kërkon një përgjigje të menjëhershme nga komuniteti botëror për të dëbuar pushtuesit nga territori i termocentralit bërthamor të Zaporizhias dhe për të parandaluar një katastrofë bërthamore në qendër të Evropës. Kjo është një sfidë globale, jo vetëm një problem ukrainas.

Ukraina vazhdon të luftojë. Forcat e armatosura të Ukrainës, me mbështetjen e plotë të popullit, po bëjnë luftime të pamëshirshme, të shenjta, kundër pushtuesit. Ukraina beson pa kushte në Fitore! Sot, pavarësia jonë fitohet me gjakun dhe jetën e mijëra ukrainasve. Por askush në botë nuk ka dyshime se populli ukrainas do ta mbrojë lirinë e tij deri në fund. Populli ukrainas zgjodhi një mënyrë sakrifikuese për të mbrojtur Atdheun e tij dhe, në të njëjtën kohë, popujt e Evropës, nga një Rusi agresive dhe e paparashikueshme, e cila në të njëjtën mënyrë gjatë dekadave të fundit u soll me Moldavinë duke pushtuar Transnistrinë; me Gjeorgjinë, duke pushtuar Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë; me Ukrainën, pasi aneksoi Krimenë, duke vendosur rendin e saj "të përgjakshëm" në Siri... Kush e ka radhën?

Sot, Ukraina mbron me guxim veten dhe ata që mund të kenë të njëjtin fat... Ukraina po beson në mbështetjen maksimale të mundshme të botës në luftën kundër agresorit. Pavarësisht se sa e vështirë është të pranosh humbjet e shkaktuara nga kjo luftë, ne kërkojmë vetëm të kujtojmë se çfarë çmimi po paguan Ukraina - me jetën e qytetarëve të saj...

Uniteti është forca jonë! Falënderime të sinqerta për të gjithë ata që po ndihmojnë me armatime, po ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të shumta humanitare të krijuara nga kjo luftë. Nuk lodhemi duke bërë gjithçka të mundshme dhe që varet nga secili prej nesh! Sepse pavarësia e Ukrainës është një fener lirie për të gjithë botën demokratike.

Në këtë ditë, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, ne po bëjmë gjithçka për të siguruar që mbrojtësit tanë - siç vuri në dukje Presidenti VolodymyrZelenskyy - të kenë mbështetje të besueshme në fushën politike, diplomatike, ekonomike, humanitare dhe në të gjithë sektorët e tjerë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës!

Volodymyr SHKUROV, Ambasadori i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë

 

Video