A po nis agonia e së majtës në Shqipëri?!

5 Dhjetor 2022, 09:17Pikëpamje SHKRUAR NGA BEN ANDONI
Në foto: Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Ministrit aktual të Drejtë sisë nuk mund t’i shkonte ndërmend se do t’i duhej të ndryshonte brenda pak sekondave dhe në kuadrin e një fjalie të përbërë me disa fjaliza nënrenditëse, konstatimin për zbehjen e përkrahjes së bazës së PS-së. Z. Ulsi Manja do t’i duhej t’i rishpjegonte sakaq auditorit mavi, kur e kuptoi se kishte shkuar shumë larg, se ishte vetë ai, Rama që frymëzonte dhe se ndryshonte kryekëput në mënyrën sesi bënte fushatë. Po, po, krejt ndryshe nga i gjithë grupi drejtues! Modifikoi gjithçka.

Ajo që kuptohet qartë është se: nëse PS-ja ngjan sikur s’ka probleme, kjo vjen ngaqë është e vështirë të gjykosh kur mungon një lloj refleksioni ose kritike në partinë e Ramës. Një të tillë u mundua ta bënte pak ditë më parë deputeti socialist Erion Braçe, i cili akuzoi direkt kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, aktualisht një nga numrat kryesorë të PS-së, se: Ai arriti të bëjë bllokimin e amendamentit, që mbronte bujkun në raport me tregtarin! Madje, deputeti i vetëm që kundërshton hapur në maxhorancë shpjegoi edhe se: Balla, madje, edhe ka urdhëruar votën kundër një ndihme të vogël dhe konkrete për blegtorët!

Edhe pse duket se ka një hatërmbetje të dukshme mes tyre, konstatimi i ish-gazetarit ishte vërtetë i hidhur: Urdhri i Ballës për të votuar kundër ishte një akt që reflektonte padituri, ligësi dhe smirë!!! Larg kësaj: A po vjen radha e PS-së pas PD-së të shkërmoqet?! Koha është një kategori me të cilën nuk mund të matesh.

Mbase, nuk është e lehtë ta parashikosh kohëzgjatjen e këtij procesi, por mund të kuptosh qartë se sot PS dhe PD-ja nuk i përfaqësojnë më shqiptarët dhe zhvillimet ideologjike, që kërkon zhvillimi i vendit dhe që ato formacione politike mëtojnë se janë të afta ta kryejnë. Në rastin e PS-së, tashmë, është më e lehtë t’ia shikosh prirjen, pasi kur një parti është në fuqi, gjykimi i bëhet përmes akteve të Ekzekutivit dhe mënyra sesi ndërtohen ligjet te Legjislativi dhe votohen me forcën e kartonit (kuptohet kundër e thjesht çdo gjëje të PD-së). Në fakt, koncepti është më i gjerë.

“Nuk mund të vazhdosh pafund së pohuari se je socialist kur nuk mëton të thuash e të bësh diçka më shumë e jo thjesht në kufizimin vetëm me sulmet ndaj konservatorëve pasi kjo thjesht nuk mjafton. Njerëzit sot, duan të dinë se çfarë do të bëjnë Laburistët”. Janë fjalët e ish-Kryeministrit laburist, Toni Bler, një këshilltar shumë i afërt i Kryeministrit aktual Edi Rama, por edhe një nga ndihmësit dhe ideatorët më të mëdhenj të kësaj force, kur u rikthye në pushtet.

Në kohët që po jetojmë duket se Partia Socialiste i ka kaluar barrierat ideologjike, por mbi të gjitha po përshkruan pjesën rënëse të kurbës së saj politike. Jo thjesht në mënyrën sesi ka vepruar me strukturën e partisë, por më shumë se kaq politikat e saj, ku mund të thuhet se E Majta shqiptare është larg të Majtës klasike Evropiane. Ajo ka një demokraci të brendshme, ku megjithë një strukturë të tërë që vëzhgon të gjithë publikun me anë të patronazhistëve dhe organizimeve ka treguar se ka mungesë të filtrave të duhura për meritokracinë dhe zgjedhjeve transparente; amnistinë Fiskale, bash në vitin e fundit të qeverisjes; mungesën e rritjes së rrogave dhe politikave që kërkojnë studime për t’ia paraprirë zhvillimeve dhe nevojave; politikat konfuze të PPP-ve, të cilat kanë treguar se e Majta është më e interesuar ndaj një grupi njerëzish, që kanë shumë ndikim mbi të dhe për të cilat përshtat ligjet.

Në mandatin e tretë, Partia Socialiste po nis atë kurs që Partia Demokratike e ravijëzoi e detyruar qysh në mandatin e dytë kur ishte në pushtet me një lloj ndjesie ngopje të pushtetit, por më shumë se kaq, një indiferencë shumë të madhe me strukturat e veta. Dhe, këtë e kupton nga mosfunksionimi i reformave dhe obligimi për të: ajo e Arsimit është një nga treguesit më të mëdhenj; ajo e Administratës gjithashtu dhe krejt e pazonjë t’u përgjigjet zhvillimeve të vendit dhe mbi të gjitha arroganca e njerëzve të saj në të gjithë pushtetin kapilar.

Kjo, sot, është jo vetëm e padurueshme, por edhe e lodhshme, përballë problematikave të publikut dhe sidomos pasigurisë, që ka përcjellë një mungesë apatie dhe informaliteti të madh në planin e brendshëm dhe në planin e jashtëm: Lufta pafund e Rusisë kundër Ukrainës. Sërish në planin e brendshëm, kësaj gjendje i bashkohet edhe gjendja aktuale e PD-së, ndarë në dy partiza opozitare, fakt, i cili i ka bërë shqiptarët të mos shohin më asnjë dritë në fund të tunelit.

Të dyja partitë kryesore fajësojnë njëra–tjetrën, por trendi i ikjes dhe kërkimit të azilantëve është jo më shqetësues, por alarmues. Po i referohemi një sondazhi të qershorit të vitit 2017, sipas Gallup, për të mos u afruar me vërtetësinë e sotme të hidhur të tij: 56 për qind e shqiptarëve donin të largoheshin, duke na renditur në vend të dytë në botë, pas Sierra Leones.

Nëse dikur kishte një frymë shprese, tashmë e majta është bërë zhgënjyese për derisa njerëzit afër pushtetit pasurohen dhe e majta mendon më shumë për një pakicë, që ka krijuar monopole në vend. Sesi përballet trendi historik i së majtës në demokraci e perifrazon disi cinizmi i Montanellit për vendin e tij, i cili me një lloj eufemizmi, e shprehte në këtë lloj forme: “Si ka mundësi që sa herë vinë të majtët në pushtet, shtohen të varfrit?!”.

Veçse, kujdes, nuk mund të mohohet se çdo pushtet i majtë i ka sjellë një periudhë stabilizimi Shqipërisë dhe sidomos një rishikim të levave të shtetit të shpërfytyruara prej të djathtëve të PD-së. Aman, pikërisht, pas pak, ajo ka arritur të identifikohet me të djathtën, pasi i ka marrë kauzat për pronën, identifikimin me të përndjekurit, strukturën dhe institucionet për të cilat, sot, bërtet më shumë e “E majta” sesa “E djathta”, e cila i mban të kyçura në program.

Ka pasur një fashë ideologjike, e cila i shkonte PS-së dhe kjo lidhej me Liberalizmin-Social, e cila në literaturë, konceptohet si ideologji politike me një shumëllojshmëri të parimeve të liberalizmit, e cila kërkon ekonomi të tregut dhe zgjerimin e të drejtave politike dhe civile , ndërsa gjithashtu beson te roli legjitim i qeverisë ku përfshihen adresimi i çështjeve sociale dhe ekonomike të tilla si: varfëria, kujdesi shëndetësor dhe arsimor.

Dukej aq mirë i ambalazhuar saqë e aplikuan shumë parti të qendrës së Majtë, pasi kjo i jepte pak më shumë frymë socialdemokracisë, që në kushtet tona specifike e të pamëshira të ekonomisë së tregut të lirë kërkonte futjen aktive të shtetit në menaxhimin e rregullave dhe një sistemi të kolauduar, që duhej t’i shpërndante të mirat në mënyrë të arsyeshme.

Theksi në mbështetjen e komuniteteve më vulnerabil, të cilat s’kanë mbështetje. Ashtu si mund të merret me mend, kjo frymë socializmi shkoi me Britaninë e Madhe e Toni Bler, ku kapitalizmi është i taruar deri në detaje por Shqipëria u përball me pështjellimin e konfuzitetit të saj. Aq e hidhur saqë, deklarata e ishministres kosovare të Arsimit që dha dorëheqjen në një parti që mëton se ka frymë kritike duhej të sqarohej qartë, por nuk ndodhi kështu. Besa Shahini do të ishte e thartë në deklarimin e saj: “Unë jam më e Majtë në ideologji sesa e Majta e Ramës. PS-ja nuk është e Majta e vjetër apo ajo populiste, është një e Majtë centriste, por jo aq sa do të doja unë. Kjo nuk ka qenë problem apo ndarje mes meje dhe Ramës, pasi mes nesh nuk ka ndarje”.

Si u mundua Kryeministri ta mbulojë këtë?! Me kujdes, Rama e përshëndeti. Nga ana tjetër, ai ka shumë kënaqësi ta vendosë në “vështirësi” botën akademike, duke u munduar të ishte korrekt thjesht me frymën e tij, ku e folura publike i afrohet shumë narracionit të thjeshtë: E Majta ime nuk i pranon dembelët, u shpreh ai, por pa u përgjigjur dot pse mungojnë rregullat e ndershme të biznesit, pse tregjet nuk funksionojnë si duhet, pse nuk punon kapitalizmi shqiptar si duhet me kërkesë-ofertën etj. Me pak fjalë, ai dembeli shqiptar ishte i tillë sepse nuk orientohet dot në kapitalizmin e vendit të tij, që drejtohet nga Rama.

Në vitet e para, bëmat e PS-së ishin edhe më shumë të dhimbshme, por atëherë justifikonin me frikën apo kompleksin e identifikimit me Partinë e Punës, ndaj kur Partia Demokratike propozoi në Parlament ligjin fatkeq 7501 që edhe pse ishte parti e djathtë dhe në programin e saj, e kishte se prona duhet të shkonte te pronari legjitim, Partia Socialiste e aprovoi edhe pse në programin e saj e kishte shkruar që prona të jepej në përdorim. Nuk është vendi për të thënë se ligji u kuptua se ishte për të privilegjuar interesat krahinore që do prishnin logjikën zgjedhore me lëvizjen e lirë në mënyrë kaotike dhe i blatoi Shqipërisë viktima pafund, madje shumë më tepër se në kohën e diktaturës.

Përgjigjen më të mirë, politikanëve koniunkturalë të PSsë për Ligjin thuhet se ia dha Dritëro Agolli, njeriu që u përpoq ta reformonte partinë përmes mençurisë së tij, që në ditët e para: “Bjena socializmin se votoj unë pro, tani jemi në kapitalizëm dhe s’ka arsye që pronën time ta marrë një njeri pa identitet, që s’ka as edhe një relacion me pronën”. Këtë rrugë dukej se do merre dhe e Majta dhe tashmë, rezultati dihet: mbivendosje të pronave, kapitalizëm selektiv, mungesa totale e transparencës dhe forca e kartonit, mosmbajtja e premtimeve dhe… lëngimi i së Majtës, e cila sot mund të kundrohet si një trup i bukur, por mbushur me plagë.

Video