Alarm për bombë në fluturimet Dublin-Romë dhe Milano - Varshavë

5 November 2026, 11:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Alarm për bombë në fluturimet Dublin-Romë dhe Milano -

Një avion pasagjerësh i kompanisë irlandeze Aer Lingus, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar mëngjesin e sotëm drejt një baze ushtarake franceze, pas një alarmi të dyshuar për bombë.

Avioni pritej të ulej në aeroportin Fiumicino në orën 10:30, por ndryshoi itinerarin teksa po fluturonte mbi Francë, duke u drejtuar drejt bazës ajrore të Évreux, në Normandi, rreth 100 kilometra larg Parisit.

Qeveria franceze bëri të ditur se situata po ndiqet në kohë reale, në përputhje me procedurat e sigurisë. Ndërkohë, Forcat Ajrore Franceze njoftuan se avionët luftarakë u ngritën në ajër për të interceptuar avionin e pasagjerëve, pas dyshimeve për një alarm për bombë.

Avioni u devijua dhe u shoqërua nga avionët luftarakë drejt bazës së Évreux. Të 151 pasagjerët dhe gjashtë anëtarët e ekuipazhit u zhvendosën në një zonë të sigurt, ndërsa në bazë janë angazhuar ekipe të specializuara për çaktivizimin e eksplozivëve.

Një tjetër alarm u raportua në një avion të kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti Malpensa në Milano drejt Varshavës. Airbus A321 u devijua drejt Vjenës pas marrjes së një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit. Kompania konfirmoi se vendimi u mor në përputhje me protokollet e sigurisë.

Kërcënimet vijnë pas një serie alarmesh të rreme për bomba në rreth dhjetë fluturime europiane gjatë kësaj jave, mes tyre edhe disa fluturime të kompanisë Ryanair. 

Alarmet e rreme për bomba janë shtuar gjatë javëve të fundit, duke prekur rreth dhjetë fluturime komerciale dhe duke shkaktuar devijime të avionëve dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë.

Vetëm të martën, të paktën shtatë avionë u përballën me kërcënime. Katër prej tyre operoheshin nga kompania low-cost Ryanair, ndërsa dy fluturime kishin si destinacion aeroportin e Romës, Fiumicino, nga Lisbona dhe Dublini. Edhe në këto raste, avionët u shoqëruan nga ‘gjuajtësit’ italianë deri në ulje.

Po të martën, një avion i Ryanair që udhëtonte nga Manchester-i drejt Murcias, në Spanjë, u evakuua pas uljes. Në bord ndodheshin 114 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit.

Autoritetet evropiane po përpiqen të përcaktojnë nëse seria e këtyre alarmeve të njëpasnjëshme mund të jetë pjesë e një veprimi të koordinuar.


Video