Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, Richard Nephew ndodhet në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.
Një takim pasditen e sotme pati dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë.
Gjithashtu nga fotot e postuara në Facebook duket që Richard Nephew ka parë nga afër malin e dosjeve në zyrat e SPAK.
"Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nepheë pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Nepheë dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së", thuhet në njoftim.
Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, ambasada amerikane shkruan se vizita e të dërguarit të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken riafirmon mbështetjen SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.
“Sot ne mirëpresim Richard Nepheë, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundër Korrupsionit Global. Nepheë po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada e SHBA.