
Policia e Vorës ka zbuluar një ambient ku kultivoheshin bimë narkotike dhe si pasojë ka arrestuar një person, si dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë.
Në pranga është vënë shtetasi F. B., 33 vjeç, banues në Peqin. Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas kishte përshtatur një banesë në Kodër Vorë për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Mbi 33 vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike" dhe "Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë".
Gjithashtu, janë proceduar penalisht dhe shtetasi A. Gj., 32 vjeç, banues në Don Bosko, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", si dhe shtetasja Sh. D., 55 vjeçe, banuese në Vorë, me detyrë faturiste pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Sipas policisë, 32-vjeçari ishte në dijeni të këtij aktiviteti kriminal dhe nuk ka kallëzuar krimin, ndërsa punonjësja e OSHEE-së, nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike, vazo të ndryshme, peshore elektronike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe dy aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.