Vrasja e gjyqtarit, arrest me burg për 3 të arrestuarit. Elvis dhe Gjon Shkambi kërkojnë falje: Ishim të tronditur

9 Tetor 2025, 09:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elvis dhe Gjon Shkambi, Astrit Kalaja

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Elvis Shkambin, autorin e vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Masa e sigurisë arrest me burg u konfimua edhe për xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi, si edhe rojën e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj.

Seanca u mbajt në Dhomën Penale të Gjykatës me dyer të mbyllura.

Elvis dhe Gjon Shkambi kanë kërkuar falje publike ndaj familjes së gjyqtarit Kalaja, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një tronditjeje të lartë psikike, për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve që lidhen me një çështje pronësie.

Të pandehurit kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj sistemit gjyqësor, duke pretenduar se gjykatat nuk e kanë zgjidhur siç duhet çështjen në fjalë.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Për sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thekson se ka dyshime që Gjon Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.

 


Video