Opinioni publik shqiptar, u trondit të hënën, 6 tetor, me vrasjen brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit Tiranë, të gjyqtarit Astrit Kalaja.
62-vjeçari u ekzekutua me tre plumba pasi dha vendimin për një çështje pronësie, nga 30 vjeçari Elvis Shkambi. Ky i fundit la të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, palë në procesin gjyqësor.
Por ky nuk është rasti i parë që ndaj drejtësisë ka pasur plumba.
Seria e atentateve që nis prej vitit 1999 e deri më sot, tregon një realitet të hidhur: as figurat e drejtësisë në Shqipëri nuk kanë qenë të mbrojtura përballë krimit.
Me një hulumtim të thjeshtë, kupton se shumë nga këto krime janë të mbushura me mister dhe nuk janë zbardhur ende.
19 shkurt 1999 – Vrasja makabre e Kozeta Hysenit
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi në Qytetin Studenti, ku u gjet e masakruar 21-vjeçarja Kozeta Hyseni, vajza e prokurorit të Vlorës, Luftar Hyseni. Një mbrëmje më parë, një vajzë e kishte njoftuar se dikush e kërkonte poshtë godinës ku banonte. Pas daljes nga dhoma, Kozeta nuk u kthye më.
Trupi i saj u gjet të nesërmen në mëngjes, i goditur barbarisht me gurë në kokë. Ngjarja nuk u zbardh kurrë dhe ende nuk dihet nëse ka lidhje me detyrën e babait të saj.
21 shkurt 1999 – Ekzekutohet Kleanthi Koçi
Vetëm dy ditë pas vrasjes së Kozetës, atentati i radhës goditi “zemrën” e drejtësisë. Kleanthi Koçi, një figurë me autoritet në jurisprudencën shqiptare, u vra me tre plumba në qendër të Tiranës, pranë 15-katëshit. Një person iu afrua, i tha diçka dhe e qëlloi për vdekje. As ky krim nuk u zbardh kurrë.
30 shtator 2003 – Ekzekutohet shoferi i kryeprokurorit
Mbrëmjen e 30 shtatorit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u ekzekutua oficeri i Gardës Genci Sina, i cili shoqëronte familjen e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Një taksi iu afrua makinës që drejtonte Sina dhe një atentator qëlloi disa herë me pistoletë me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht, bashkëshortja dhe vajza e prokurorit, që ndodheshin në makinë, shpëtuan pa lëndime.
9 shtator 2011 – Vritet gjyqtari Skerdilajd Konomi
Pas gati një dekade, krimi mafioz goditi sërish. Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Vlorë, humbi jetën nga një atentat me tritol të vendosur në makinën e tij. Serial-killeri me pagesë, Julian Sinanaj, dëshmoi se porosia kishte ardhur nga Durrësi dhe lidhej me konfliktet e pronësisë në zona bregdetare. Pavarësisht të dhënave të forta, dosja e vrasjes mbeti pa përfundim.
22 mars 2019 – Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra
Në qendër të Elbasanit, ndërsa po pinte kafe në një lokal, avokati Ravik Gurra, i njohur si përfaqësues ligjor i fisit Çapja, u qëllua me silenciator në kokë. Atentatori u largua me shpejtësi me ndihmën e një bashkëpunëtori. Edhe ky krim vazhdon të mbetet i pazbardhur.
1 nëntor 2019 – Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja
Një breshëri automatiku u shkreh ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja pranë mbikalimit të Shkozetit. Ai udhëtonte me dy persona, Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferin e tij Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vrarë, ndërsa Ndoja u plagos. Ngjarja ngriti shumë pikëpyetje mbi lidhjet e errëta mes krimit dhe politikës, por ende nuk është dhënë një verdikt final.
6 tetor 2025 – Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja
Ngjarja më e fundit ka përmasa akoma më të rënda, plumbat u lëshuan brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri pasi dha një vendim, pa e ditur se ky i fundit do t’i kushtonte jetën.