Vodhi 1 milion lekë në pikën e Postës në Kamëz, arrestohet 20-vjeçari

19 April 2022, 09:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vodhi 1 milion lekë në pikën e Postës në Kamëz,

Një 20-vjeçar është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi vodhën pikën e Postës Shqiptare dje në Kamëz.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një shume parash në filialin e një poste në Kamzë, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Filiali 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. K., 20 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale "Vjedhja me dhunë" kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkautori tjetër, shtetasi E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.


Video