Komisionet e Vettingut shkelën Konventën e të Drejtave të Njeriut në rastin e shqyrtimit, vlerësimit dhe më pas shkarkimit të ish-gjyqtarit të lartë, Admir Thanza.
Ky është vendimi i marrë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg. Gjykata thotë se Thanzës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar dhe për një proces të paanshëm gjyqësor, duke shkelur kështu nenet 6 dhe 8 të Konventës.
Ish-gjyqtari Admir Thanza iu drejtua Strasburgut në korrik të vitit 2019-të me pretendimin se ai ishte diskriminuar nga organet e vettingut. Mes tetë kërkesave të paraqitura në gjykatë ishte edhe ajo për një dëmshpërblim prej 200 mijë eurosh.
Gjykata pranoi shtatë prej tyre, por rrëzoi pretendimet financiare të Thanzës, duke e dënuar shtetin shqiptar me 3500 euro vetëm për kostot e proceseve gjyqësore.
Admir Thanza u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të 2018-s për mosjustifikim të pasurisë, por edhe për fshehjen e një dënimi me gjobë në Itali për akuzën e vjedhjes. Në prill të 2019-s, vendimi i KPK-së u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e fundit e vettingut.
Megjithatë, vendimi i Strasburgut nuk përkthehet automatikisht në rivlerësim të ish-gjyqtarit nga vettingu.