Gazetari Adriatik Doçi ka reaguar pasi Policia arrestoi autorin e sulmit ndaj tij, 32-vjeçarin Redon Skutera nga Tirana. Në njoftimin e policisë thuhej se Skutera e ka goditur disa herë me grushte Doçin për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizkike.
Në një postim në rrjetet sociale, Doçi falenderon Policinë dhe ata që e kanë mbështetur. Ai shton më tej, se ashtu siç e kishte paralajmëruar, sulmi ndaj tij është paguar nga nyje të krimit të organizuar për shkak të detyrës, për të krijuar frikë dhe kufizuar raportimin.
Doçi shprehet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap pas për të ndarë me publikun të vërtetat me interes publik.
Reagimi i plotë:
Së pari, dua të shpreh vlerësimin maksimal për Policinë e Shtetit, për punën profesionale, të guximshme, pa ndalim, madje deri pas mesnate, të komisariatit nr. 5, drejtuesit e të cilit zbuluan në kohë rekord autorin e sulmit fizik ndaj meje, bashkë me suportuesit e tij.
Ky është një lehtësim i madh për mua, familjen dhe miqtë e mi.
Vlerësoj gjithashtu interesimin e posaçëm të ministrin Blendi Çuçi për zbardhjen e ngjarjes.
Vlerësoj mbështetjen dhe solidaritetin maksimal të drejtuesve të Report Tv.
Ky është edhe një mesazh i shtetit për të gjithë kolegët e tjerë gazetarë, të cilët nesër mund të sulmohen nga segmente të krimit të organizuar.
Ashtu siç edhe deklarova ditën e parë, sulmi është paguar nga nyje të krimit të organizuar për shkak të detyrës, për të krijuar frikë dhe kufizuar raportimin.
Hetimet do të tregojnë më shumë. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap pas për të ndarë me publikun të vërtetat me interes publik.