
Gjykata e Elbasanit ka liruar ditën e sotme nga paraburgimi dy rusët Svetlana Timofevaa dhe Mikhail Zorin si dhe ukrainasin Fedir Alpatov, të akuzuar për incidentin në uzinën e armëve në Gramsh vitin e kaluar.
Për Mikhail Zorin është vendosur masa e sigurisë "arrest shtëpie", ndërsa Svetlana Timofevaa dhe Fedir Alpatov janë lënë të lirë, por Prokuroria ka urdhëruar bllokimin e pasaportave të tyre. Kjo masë do të jetë në fuqi deri në mbyllje të hetimeve.
Arsyeja e lirimit të tyre 9 muaj pas arrestimit ka qenë përfundimi i afatit të paraburgimit, ndërkohë që Prokurorisë nuk i ka mbërritur ende ekspertiza që lidhet me pajisjet fotografuese dhe ato të vëzhgimit me të cilat u ndaluan pranë uzinës së Gramshit në muajin Gusht të vitit të kaluar.
Ata u arrestuan me bujë me dyshime se mund të kishin ardhur me qëllim spiunazhi për interes të Republikës Ruse. Fund gushtin e vitit të shkuar Svetlana Valerevna Timoveva bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov tentuan të hynë në ish-u zinën ushtarake në Gramsh dhe hodhën spray djegës tek rojet ushtarake të objektit.
Hetimet për aktivitetin e tyre janë shtyrë vazhdimisht nga prokuroria e Elbasanit në pritje për ta çuar çështje për gjykim.