Vetëm në vitin 2024, Shqipëria mirëpriti 11.7 milionë vizitorë të huaj, një bum që ka transformuar ekonominë vendase dhe që, sipas draft strategjisë kombëtare 2025–2030, do të vazhdojë të jetë një nga motorët kryesorë të zhvillimit. Por pyetja që lind natyrshëm është: A po përfitojnë komunitetet lokale nga kjo rritje?
Kjo është pikërisht dilema që përpiqet t’i përgjigjet modeli i organizatës globale Planeterra, e cila sapo ka publikuar Raportin e Ndikimit të Turizmit Komunitar për vitin 2024, një dokument i pasur me të dhëna dhe histori reale nga komunitete në mbarë botën që janë përfshirë aktivisht në zhvillimin e turizmit si burim i qëndrueshëm jetese.
Planeterra, organizata globale që përdor turizmin për fuqizmin e komuniteteve lokale dhe mbrojtjen e natyrës, tregon me fakte se turizmi, kur është i udhëhequr nga komunitetet lokale, mund të krijojë ndikim të matshëm social, ekonomik dhe mjedisor.
“Bashkë po e transformojmë turizmin në një mjet për ndikim më të mirë—duke krijuar vende pune, duke festuar kulturat dhe duke mbrojtur mjedisin,” – u shpreh Jamie Sweeting, President i Planeterra. “Ky raport tregon qartë fuqinë e turizmit kur ai udhëhiqet nga vetë komunitetet.”
Të dhëna kyçe nga raporti:
30,694 persona në 51 vende të botës përfituan të ardhura përmes iniciativave turistike të mbështetura nga Planeterra, duke fuqizuar drejtpërdrejt individë dhe familje.
Mbi 191,764 persona përjetuan ndikimin pozitiv të turizmit komunitar, duke përfituar nga ekonomitë lokale të forcuara dhe mirëqenia e përmirësuar e komunitetit.
133,340 udhëtarë vizituan përvoja të turizmit komunitar, duke treguar një kërkesë në rritje për udhëtime të përgjegjshme dhe autentike që sjellin përfitime për vendasit.
2.65 milionë pemë janë mbjellë përmes përpjekjeve tona për turizëm të ndjeshëm ndaj natyrës, duke kontribuar në ruajtjen dhe rikuperimin e mjedisit.
Fuqizimi i komuniteteve, përtej numrave
Në thelb të modelit të Planeterra qëndron ideja që vetë komunitetet duhet të jenë në qendër të zhvillimit turistik. Përmes Rrjetit Global të Turizmit Komunitar, që tashmë përfshin mbi 550 organizata në 80 vende të botës, Planeterra ofron mentorim, mbështetje financiare dhe lidhje me tregun ndërkombëtar për sipërmarrje sociale që krijojnë vende pune, ruajnë kulturën, dhe mbrojnë natyrën.
Një risi për rajonin europian
Në raportin e këtij viti, përfshihen edhe histori frymëzuese nga Europa si Italia, Greqia dhe Hungaria, ku organizatat komunitare po e përdorin turizmin për të nxitur përfshirjen sociale dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Si pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar praninë në Europë, në ekipin global të Planeterra është bashkuar ekspertja shqiptare e turizmit të qëndrueshëm Blerina Ago, në rolin e Menaxheres Rajonale për Europën.

Migrantour ofron guida ndërkulturore të udhëhequra nga migrantë, duke promovuar përfshirjen sociale dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore. Me mbështetjen e Fondit Global të Planeterra-s, u trajnuan nëntë udhërrëfyes të rinj në Firence, Romë dhe Torino, nga vende si Palestina, Brazili dhe Ukraina. Ata ndajnë histori personale që nxisin dialog dhe ndërgjegjësim, ndërsa nisma Migrantour u përmirësua për të rritur aksesin në itinerare dhe rezervime. Siç thekson koordinuesja Rosina Irene Chiurazzi, “Ndryshimi pozitiv lind më së miri përmes punës në komunitet dhe shkëmbimit të ndërsjellë.”
A është Shqipëria gati për këtë hap?
Përfitimet e turizmit të udhëhequr nga komuniteti janë tashmë të njohura në shkallë globale: rritje të të ardhurave lokale, ruajtje të trashëgimisë kulturore, përfshirje sociale dhe mbrojtje të natyrës. Shqipëria, me pasurinë e saj natyrore dhe kulturore, ka një potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar modele të tilla.
Në këtë fazë të rritjes së shpejtë të turizmit në Shqipëri, paraqitet një mundësi strategjike për të vendosur komunitetet në qendër të zhvillimit turistik — jo vetëm si përfitues, por si bashkëhartues, vendimmarrës dhe pronarë të modeleve të qëndrueshme turistike. Kjo nënkupton krijimin e mekanizmave që mundësojnë pjesëmarrjen aktive të komuniteteve në planifikim dhe menaxhim, forcimin e aftësive përmes formimit profesional, përmirësimin e aksesit në financim dhe rritjen e dukshmërisë së produkteve vendore autentike, gjithnjë në përputhje me objektivat për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
Qasja e Planeterra mund të shërbejë si model praktik për hartuesit e politikave, donatorët ndërkombëtarë dhe sipërmarrësit shqiptarë, duke treguar se turizmi mund të jetë një aleat i fortë për zhvillimin lokal, përparimin e barazisë dhe ruajtjen e natyrës, kur udhëhiqet nga vetë komunitetet.
Një vizion për vitet që vijnë
“Raise the World” është një nismë e përbashkët e G Adventures dhe Planeterra, një përpjekje ambicioze për të mbështetur 300 organizata të turizmit komunitar deri në vitin 2030, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme në rajonet ku mbahen eventet GX.
Gjatë vitit të parë, nisma Raise the World arriti të grumbullojë mbi (rreth 300,000 USD – një arritje domethënëse që ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve lokalë, forcon ekonomitë vendore dhe nxit zhvillimin e turizmit me ndikim pozitiv.
Raporti i plotë, i pasuruar me histori të komuniteteve nga India në Peru e deri në Tanzani, mund të lexohet në: https://planeterra.org/impact/