Vrasja mafioze e ekzekutuar të dielën në mbrëmje te kthesa e Rinasit është ende pa autor dhe pa motive të qarta për grupin e hetimit.
Policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të mjetit nga i cili doli breshëria e kallashnikovit që i mori jetën djalit nga Rinasi i Ri, ndërkohë që përgjatë dy ditëve të fundit, kanë mundur vetëm të fiksojnë faktin se viktima, pasi është ndarë nga vëllai ku është takuar për kafe me të, është takuar me një person tjetër.
Referuar të dhënave konfidenciale mësohet se të dhënat për këtë person kanë dalë nga këqyrja e tabulateve telefonike të Iljaz Çalit, por ende Policia nuk e ka marrë atë person në pyetje.
Zyrtarisht nuk bëhet me dije se kë ka takuar dhe në çfarë vendi, por bëhet me dije se në drejtim të Rrugës së Elbasanit, viktima ka shkuar konkretisht për të takuar atë person.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, ka qenë vetë vëllai i tij, Zeqir Çali, i cili ka thënë se përgjatë kohës që ka qenë në lokal me të vëllanë, për herë të fundit të jetës së tyre të përbashkët, i binte shpesh telefoni, por vëllai nuk e ka pyetur Iljazin se kush ishte.