Ministrja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka komentuar trazirat në Kuvend të shkaktuara nga një grup deputetëtsh të Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha.
Spiropali thotë se deputetët si Flamur Noka, Albana Vokshi, Ervin Salianji e Saimir Korreshi kanë hallin për të qenë sa më afër në radhë për kandidimin në zgjedhjet e vitit 2025.
Sipas saj, një tjetër hall që i ka zënë është ai me SPAK-un.
“Dhe halli i tyre gjoja për respektim të Kushtetutës, halli për liritë e mohuara politike dhe politikën që po i shkel lirinë, nuk janë halle, janë broçkulla në pritje të 2025-ës, që nuk mund të fshihen pas zhurmës së karrikeve të thyera dhe tymit të flakadanëve”, shkruan ndër të tjera Spiropali.
Komenti i plotë:
E DINË, POR NUK E THONË!
E di Flamuri, Albana, Gazmendi, Ervini, Saimiri, e dinë të gjithë, që vallja me Berishën është një valle "Napolon" e ndotur, e bërë shuk, dhe e hedhur në det.
Që ngutja opozitare mbi kangjella të rrezikshme ku mezi ngjitesh dhe dritare të ngushta ku mezi futesh, kush e kush të zërë radhën për kandidim sa më afër kreut të listës më 2025 tani për tani është e pashpresë, që ky ngut s'të çon askund dhe s'të zgjidh asnjë hall, përveç të sipërpërmendurve dhe ca pak të tjerëve, këtë tashmë e dinë të gjithë, këtë tashmë nuk e dyshon askush, as drunjtë e karrikeve të thyera, as kanoçet bosh të tymrave.
Dhe halli i tyre gjoja për respektim të Kushtetutës, halli për liritë e mohuara politike dhe politikën që po i shkel lirinë, nuk janë halle, janë broçkulla në pritje të 2025-ës, që nuk mund të fshihen pas zhurmës së karrikeve të thyera dhe tymit të flakadanëve.
Halli që i ka zënë me SPAK-un është një tjetër hall, është një hall mbi hall, të cilin, për shkak të marrëdhënies katastrofike me elektoratin e tyre, nuk e zgjidhin dot me mjete politike, i janë futur ta zgjidhin edhe atë, një rrugë e dy punë, me ulërima, rrena, karrike të thyera, dhe tym.
Mes thyerjeve dhe tymrave haxhiqamiliste, nuk kuptojnë, se SPAK që frikëson aq tepër, është shpëtim edhe për ata vetë.
Le të shpresojmë se Flamuri, Albana, Gazmendi, Ervini, Saimiri, e capak të tjerë, për të mirën e vetes dhe të tjerëve, të paktën do gjejnë forca për të dalë nga keqkuptimi dramatik. Mandati i tyre nuk mund të jetë mandata e fundit e PD-së.