Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë një vendim të mëparshëm të Shkallës së Parë lidhur me masën e sekuestros mbi disa llogari bankare, duke urdhëruar heqjen e saj në emër të Olsi Ibros, i vetëvrarë rreth dy vite më parë.
Gjykata shpalli apsolutisht te pavlefshem sekuestimin e llogarive te Olsi Ibros
Olsi Ibro është bashkëshorti i pronares së Micro Credit Albania, një nga shoqëritë e mikrokrediteve të hetuara nga prokuroria e Tiranës.
Nga ana tjetër, gjykata rrëzoi pjesën tjetër të kërkesave të paraqitura nga ankuesit, duke i cilësuar ato si të pabazuara në ligj.

Sekuestrimi
Prokuroria e Tiranës sekuestroi asetet pasurore të dy shoqërive Micro Credit Albania dhe Final, të cilat akuzohen se kanë krijuar skema mashtrimi me mikrokreditë me qëllim zhvatjen e qytetarëve.
Sipas Prokurorisë nga hetmet, ka rezultuar se këto dy shoqëri tregtare në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.
Po ashtu, organi i akuzë sqaron se shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme.
Ata kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.
“Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera”, thuhet ne njoftim.