Procesi "Buka"/ Ahmetaj mund të dëshmojë me audio ose videokonferencë

11 Shkurt 2026, 10:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që ky i fundit të japë shpjegime, nëse jep pëlqimin, në procesin “Buka”.

Ahmetaj mund të dëshmojë me audio ose videokonferencë në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës.

Në seancën e kësaj të mërkure, prokurori i çështjes, Elvin Gogaj, paraqiti kërkesat për provat shkresore dhe ato me dëshmitarë.

Ai tha se Prokuroria e akuzon Ahmetajn se e ka kryer me dashje shpërdorimin e detyrës dhe nuk ka zbatuar një vendim gjykate, megjithëse ishte në dijeni.

Në seancën e radhës u thirr për të dëshmuar biznesmeni L.F., i cili ka përfituar nga privatizimi, ndërsa në listë është edhe familja Myderizi, si dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Seanca e radhës u la në datën 24 shkurt.

Për këtë dosje, prokurori Elvin Gogaj ka regjistruar edhe një fraksion për pastrim parash, lidhur me një transfertë prej 3 milionë eurosh drejt Austrisë, për të cilat kanë nisur verifikimet për lëvizjen e parave.

Lista e plotë me dëshmitarët që ka kërkuar SPAK: Arben Myderizi, Adrian Myderizi, Shkëlqim Cani, Geraldina Prodani, Fatmir Hoxhaj, Klodian Mene, Roza Naumi, Endri Duçka, Ergys Qirici, Hysen Caka, Rudian Karamuço, Manjola Fagu, Nuri Sopaj, Idli Xhoxhi, Adriana Sheti, Dezdemoda Aliçkaj, Silvana Gjikdhima, Emil Nova, Igli Gugashi, Federik Seiti, Florian Pustina, Lirim Fejzullai.


Video