Si sot, 1 vit nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj drejt gjykimit

10 Shkurt 2026, 10:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbush sot një vit nga arrestimi. Me urdhër të SPAK, Erion Veliaj qëndron prej një viti pas hekurave, dërsa ndaj tij vijojnë hetimet për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit 2025. Agjentë të SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në ambientet e Bashkisë së Tiranës dhe më pas në banesën e tij, duke zbatuar urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme. Më 10 shkurt ish-kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë në përurimin e një kopshti në Yzberisht. Disa minuta më vonë, pas pamjeve nga kopshti, Veliaj u shfaq në Bashkinë e Tiranës teksa dilte nga zyra e tij me dosje në duar në shoqërinë e oficerëve të BKH-së.

Dita e arrestimit u shoqërua me tension dhe reagime të forta, kryesisht nga kampi kundërshtar. Nga ana tjetër, vetë Veliaj në reagimet e tij, deklaronte se ishte i pafajshëm dhe se kishte besim të drejtësia. Që prej asaj ditë, rasti i Veliajt ka shkaktuar debat mes politikës dhe drejtësisë. Ndërsa Bashkia e Tiranës ka vijuar funksionimin nën drejtimin e strukturave drejtuese, teksa Veliaj vijon të mbetet kryetar, por çështja e tij në proces e 'mban jashtë zyre'. 

Një vit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, çështja duket se ka hyrë zyrtarisht në fazën e gjykimit. Ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim në themel të dosjes në ngarkim të Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë. 

Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre, lidhur me përfitime të parregullta nga kompani private dhe organizata jofitimprurëse. Ndërsa të pandehurit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe vepra të tjera penale.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI


Video