Hasan Nasrallah u vra tre ditë më parë në një sulm me raketa nga ushtria izraelite.
Por vetëm pak ditë përpara sulmit, një klerik i lartë libanez, i dha atij një paralajmërim të qartë se si jeta e tij ishte në rrezik.
Mohammad Ali Al-Husseini, në një emision televiziv i bëri thirrje Nasrallahut të "shkruajë testamentin e tij", duke aluduar se Irani, siç e solli në pushtet, tashmë e ka tradhëtuar.
"Po të them, mblidh familjen, llogarit kohën, dhe shkruaj testamentin. Kushdo që të solli, të shiti sot. Sikur vetëm ta dije se çfarë thonë për ty në Iran, se çfarë informacioni përcillet dhe se çfarë kërkonte në këmbim për kokën tënde, ekuacioni do të përmbysej. Por nga sot, ti e di se je bërë shënjestra numër një në botë. Ndaj shkruaj testamentin, ky nuk është kërcënim. Do të presim dhe do shohim. Të gjitha ëndërrat dhe vizionet që kishe, që e pe veten duke hyrë në Jeruzalem, vërej se kush t'i tregoi dhe kush të mashtroi", tha ai.
Al-Husseini njihet si kritik i Nasrallahut, dhe është akuzuar edhe se ka bashkëpunuar me Mossad.