Një minator ka humbur jetën gjatë punës në një prej galerive të nxjerrjes së kromit në Bulqizë.
Policia e Dibrës bën me dije se viktima është shtetasi Sazan Deda, rreth 52 vjeç. Burime bëjnë me dije se Deda ka qenë duke punuar për nxjerrjen e materialit të kromit, dhe gjatë punës, në rrethana ende të paqarta është shembur një masiv kromi duke e zënë poshtë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale, bën thirrje për hetimin e ngjarjes.
“BULQIZA SËRISH NË ZI: NJË TJETËR MINATOR HUMBI JETËN NË GALERI
Dita e sotme ishte e zezë për Bulqizën dhe minatorët. Në mesditë u vra në thellësitë e një galerie minatori 52-vjeçar Sazan Deda. Aksidenti ka ndodhur në njërën prej galerive të vogla private, emri i së cilës nuk bëhet i ditur prej organeve shtetërore.
Tragjeditë për Bulqizën dhe bulqizakët nuk kanë të ndalur. Ato janë të pranishme në jetën tonë në çdo moment, si për t’na kujtuar vazhdimisht kushtet e rënda në të cilat punojmë.
U shprehim familjarëve të kolegut dhe shokut tonë Sazan Deda ngushëllimet për humbjen e rëndë. Kërkojmë nga organet shtetërore hetime për aksidentin dhe përgjegjësit për ndodhjen e tij, si dhe kontrolle të rrepta në çdo minierë për kushtet e sigurisë në punë.
Ju bëjmë thirrje të gjithë minatorëve që të organizohen sindikalisht për të drejtat e tyre. Raste të tillë e theksojnë edhe më shumë nevojën e organizimit për të siguruar kushtet e domosdoshme dhe, mbi të gjitha, jetën!”, thuhet në reagim.