
Prokuroria e Tiranës thotë se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Dritan Hoxhën për vrasje me paramendim.
Ai akuzohet, bashkë me Besim Besimajn i arrestuar në Greqi, se kanë shkaktuar vrasjen e Andon Veshajt. Ngjarja është regjistruar në krahinën e Larisës në Greqi më 17 Maj 2010.
“Hetimet nisën në vitin 2017 pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi i tij u gjet i rrahur për vdekje brenda makinës së tij”, njoftoi prokuroria.
Hoxha kishte njohje me viktimën. Natën e krimit ata kanë qenë në të njëjtin lokal. Prokuroria provoi se ata janë larguar në të njëjtën kohë dhe nga tabulatet telefonike rezultoi se autori ka komunikuar me bashkëpunëtorin tjetër, Besimajn. Ata e kanë dhunuar dhe si pasojë e goditjeve të rënda në kokë, Veshaj humbi jetën.
“Të dy këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike duke e goditur në këmbë, duar e pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës, viktima ndërroi jetë. Pas këtyre akteve, ata e kanë futur viktimën në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes”, njoftoi prokuroria.
Prokuroria thotë se dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë fakti se viktima ka pasur me vete atë natë, tre çeqe me vlerë 150 mijë Euro me vete.
Dritan Hoxha u arrestua pas 14 vitesh në arrati, më 11 Korrik të 2024.