Vendimi i marrë nga qeveria të mërkurën i jep mundësi Policisë së Shtetit që të ofrojë shërbime shtesë sigurie kundrejt pagesës për individë, organizata apo kompanive të ndryshme.
Në këtë kategori vendimi përfshin edhe personat që kanë përfituar statusin e invesitorit strategjik me procedurë të veçantë sipas ligjit për investimet strategjike.
Me këtë procedurë janë disa investitorë strategjikë, që kanë përfituar nga ligji në fjalë. Por, a janë të kërcënuar këta investitorë? Disa prej tyre nën petkun e investitorit strategjik kanë përfituar prona shtetërore në bregdet për të cilat ka një konflikt disavjeçar zotërimi, sidomos në zonat e lakmuara të Himarës.
Për këto prona janë me dhjetra padi të depozituara në Prokurinë e Vlorës ndër vite me akuzën e falsifikimit të dokumentacionit dhe mbivendosjes së titujve të pronësisë.
Familjet që pretendojnë se i kanë të trashëguar pronat në bregdet akuzojnë se në mes është edhe krimi i organizuar, bashkë me fuqinë financiare që kanë pas.
Ndoshta përfshirja e krimit të organizuar mes pretendimeve për këto prona ka nxitur investitorët strategjikë që të kërkojnë mbrojtjen e përforcuar nga Policia e Shtetit, pavarësisht se thuajse të gjithë ata kanë mbrojtje private që i paguajnë.