Arrestimi i Vangjush Dakos nga SPAK u analizua në “Top Story” nga gazetarë dhe analistë, të cilët shprehen se padia ka të bëjë me abuzimet që janë bërë me pallatin që ishte i pabanueshëm.
Gazetari Artur Zheji tha se drejtësia në vend po tregon një lloj pavarësie nga politika, një risi krahasuar me vitet e kaluara.
“Mund të ketë një lloj pavarësie, sepse në momentin që thua që ka një regji të kohës do të thotë një drejtësi e varur nga politika, që do të thotë se i është shkrepur të bëjë vetëvrasje. Unë lexoj dy gjëra interesante, e para janë personat që vuajnë pasojat e ndërtesave, bëhet fjalë për banorë që kanë kallëzuar ish-kryebashkiakun e asaj kohe”, u shpreh ai.
Pas kësaj deklarate ndërhyri gazetarja Anduena Llabani, e cila shtoi se leja është dhënë 11 vite më parë dhe se padia është bërë për abuzimet që ka bërë qeveria në lidhje me pallatin e pabanueshëm.
“48 familje patën probleme me pallatin. Nuk humbën jetë njerëzore por humbën pasurinë. Lejen e ka dhënë përpara 11 vitesh. Tërmeti ka goditur një pallat që është ndërtuar 11 vite më parë. Padia ka të bëjë me abuzimet që ka bërë qeveria me pallatin ndërkohë që ishte i pabanueshëm. Fillimisht ata u nxorën jashtë pallatit pas tërmetit dhe bashkia i ofronte qera, po më pas u ndërpre. As vetë Dako nuk e ka parë dosjen. Ka lejuar banorët të jetojnë në një pallat të pabanueshëm”, u shpreh gazetarja.
Sakaq Artur Zheji shprehu vlerësimin për lëvizjet që u bënë nga të gjitha palët, ku në fokus mban banorët të cilat bënë denoncimin e më pas reagimin e organeve ligjzbatuese.
“Një grup banorësh grumbullohen për një çështje. Mendoj që është një gjë e bukur që një grup banorësh i janë qepur këmba këmbës. Duam që drejtësia të funksionojë, por banorët që kanë pasur hallin e tyre i janë qepur një prej njerëzve më të fuqishëm, ku deri në këtë moment e kanë fituar. Rezonanca që kanë pasur me drejtësinë është shumë e mirë”, tha Zheji.
Por nuk ishte i të njëjtit mendimi analisti Arian Curri.
“Nuk e shikoj si fitore të banorëve, por spektakël i niveleve të larta. Ka muaj dhe vite që hetohet Dako, pse nuk u arrestua më herët. Për nderin e fundit që t’i bënte maxhorancë të fitoheshin zgjedhjet në Durrës. A ngjan rasti i Dakos me Lefter Kokën që u përdor për të fituar zgjedhjet. Vetëm disa ditë pas lirimit të Sajmir Tahirit për shmangie vëmendje që SPAK-u bën rrokadë. Liruam Sajmir Tahirin dhe arrestuam Vangjush Dakon. Tani që flasim në ambasadë po hahet një darkë mes kryeministrit dhe ambasadores Kim. A mos ndoshta Rama i thotë mos u mërzit, ja arrestuam Vangjush Dakon, non grata, drejtësia jonë e re po i arreston këta. Nëse dikur filmat paraprinin realitetin, tani realiteti paraprin filmin. Shko në polici, e ke me perde derën e Drejtorisë. Kjo drejtësi është me regji. Unë po bëj një pyetje, pse Dako arrestohet pas zgjedhjeve vendore? Pse ambasadorja nuk e përshëndeti Dakon siç ka bërë me arrestimin e peshqve të mëdhenj. I ka përdorur Rama dhe tani lëshon, është bërë edhe me zotin Lefter Koka. I përdor, i thotë SPAK prit edhe pak, në momentin që të rrezikon ekzistencën, i lëshon. Mund t’i prishë fabulën e drejtësisë së re. I përdor si limon dhe mbasi i shtrydh i heq”, tha Curri në Top Story.